Brazilianët Uenderson dhe Emerson kanë shënuar sot dy golat e fitores 2-0 të Vllaznisë ndaj Burrelit dhe duke e ndihmuar atë të kalojë në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. E nëse futbollistët shkodranë munguan të shënojnë në këtë fitore të Vllaznisë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shkodranët që luajnë në ekipet e tjera.

Dhe janë jo pak por plot shtatë gola që ata kanë shënuar për ekipet e tjera dhe ajo çka është më interesantja, të gjithë këto ekipe i kanë fituar ndeshjet dhe kanë kaluar turin.

Kështu, në ndeshjen Laçi- Elbasani që përfundoi me rezultatin 4-0, golin e parë për laçianët e ka shënuar mbrojtësi shkodran Abdurrahman Fangaj.

Në ndeshjen Besa- Egnatia 2-0, golin e parë për kavajasit e ka shënuar mesfushori shkodran Uheid Hoxha që ka kontribuar kësisoj në kualifikimin e kavajasve për në turin tjetër.

Në ndeshjen Teuta- Tërbuni 6-2, mesfushori shkodran Arlind Kalaja ka shënuar dy herë për durrsakët në pjesën e dytë duke kontribuar në fitoren e tyre dhe kualifikimin për në turin e dytë.

Tre gola kanë shënuar shkodranët në ndeshjen Flamurtari- Veleçiku 5-0, pikërisht dy prej tyre mbajnë firmën e sulmuesit Xhevahir Sukaj dhe një të mesfushori Ansi Nika.
www.shkodrasport.com