Vllaznia ka hyrë në kulmin e përgatitjeve për premierën e kampionatit. E shtuna po afron, ndaj prej të hënës Mirsad Jonuz është përqendruar në riparimin e defekteve që ka hasur në lojë gjatë miqësoreve të zhvilluara, por edhe te ndërtimi i formacionit.
Kuqeblutë do të presin Laçin në “Loro Boriçi” dhe objektivi është që ta nisin me këmbë të mbarë rikthimin në elitë. Tekniku maqedonas dje ka pasur në organikë edhe dy blerjet më të fundit të kësaj merkatoje, brazilianët Hygor e Maranao.
Lajmi i mirë vinte nga Emerson, i ardhur gati para një jave në Shkodër. Ata kanë kryer të parën seancë me kuqeblutë. Pas ekzaminimeve dhe terapisë që zhvilloi, mësohet se do të jetë i gatshëm kundër kurbinasve. Por vendimi final tashmë i takon trajnerit, nëse do t’i japë minuta apo jo sulmuesit.