Në fitoren e sotme 2-0 në miqësoren ndaj Veleçikut, protagonisti kryesor për Vllazninë ka qenë braziliani Wenderson. Ai ka shënuar golin e parë, ka bërë gjithçka mirë dhe ka dhënë asistin tek goli i dytë i shënuar nga Gurishta dhe po ashtu ka dhënë edhe një asist të shkëlqyer për Shtubinën që mund të kishte shënuar edhe një gol të tretë.
Golin e shënoi me kokë pas një krosi nga e djathta dhe ai i gjeti kohën topit duke e dërguar në mënyrën e duhur dhe plot klas. Ndërkohë, fantastik është shfaqur tek goli i dytë. Kalon njëri pas tjetrit katër mbrojtës të Veleçikut dhe përballë portieri kundërshtar preferon të pasojë tek Gurishta që vjen në krahun tjetër dhe ai nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë.
Edhe pak minuta më vonë, përmes një “tuneli” të bukur nxjerr Shtubinën të vetëm përballë portierit Lopçi por ai nuk arrin të shënojë. Megjithatë Wenderson e bëri të veten me atë pasim të shkëlqyer.
Sulmuesi ka ardhur vetëm pak ditë para nisjes së kampionatit dhe kuptohet që nuk është në formën e tij më të mirë fizike por po rritet nga dita në ditë.Sot trajneri Jonuz e ka lënë në fushë 90 minuta të plota dhe tek ai janë vërejtur shenja lodhje normalisht, por gjithsesi paraqitja e tij ishte një ogur i mirë për ndeshjet e ardhshme.
Vllaznia në tre takimet e para të kampionatit ka shfaqur vështirësi në repartin ofensiv dhe shpresat janë që gjëra të ndryshojnë duke nisur nga takimi i rradhës me Teutën.
www.shkodrasport.com