Mungoi në ndeshjen e kaluar, por nuk mund t’ia lejonte vetes të mungonte edhe në sfidën e rradhës ndaj Kastriotit. Për këtë arsye trajneri Thomas Brdariç sot është bashkuar me skuadrën dhe është nisur drejt Durrësit, për të zhvilluar atje stërvitjen e fundit në këtë pragndeshje.
Tekniku gjerman i kuqebluve ka kaluar një gjendje gripale ditët e fundit, por nuk ka patur covid dhe për pasojë, menjëherë sapo ka filluar t’i lërë pas problemet, është vënë sërish në krye të ekipit.
Ka dalë edhe sot para gazetarëve në konferencën e shtypit, ndonëse ka folur gjatë gjithë kohës me maskë në gojë, si për të shmangur çdo problem dhe më pas, është nisur me ekipin, madje e ka drejtuar edhe ne seancen stervitore qe ai ka zhvilluar pasdite ne fushen e kompleksit “Tropikal”.
Prania e tij në krye të skuadrës padyshim që është e domosdoshme sepse ndihet dora e tij në çdo drejtim dhe ndonëse ka besim të plotë tek Plori dhe pjesa tjetër e stafit, sërish nuk ka mundur të qëndrojë më gjatë larg saj.
Për më tepër në këtë ndeshje shumë delikate siç është kjo e nesërmja ndaj Kastriotit në transfertë, sfidë në të cilën Vllaznia është e vendosur për të bërë mirë dhe për të mos dalë pa pikë prej saj./SHKODRA-SPORT.COM/