Trajneri i Vllaznisë Artan Bushati është parë tejet i lumtur pas ndeshjes së mbrëmshme. Nën drejtimin e tij, Vllaznia në dy ndeshje ka marrë pikët maksimale- 6 dhe tashmë sheh përpara. Ai thotë se loja ndaj Kukësit nuk ka qenë në nivelet e duhura por për momentin duheshin pikët dhe loja do vijë duke u rregulluar në të ardhmen.Ja si është shprehur ai në konferencën për shtyp të pasndeshjes:

“E rëndësishme ishte që morëm tre pikët. Sigurisht që lojtarët e mi nuk dolën ashtu siç duhet në lojën e tyre sepse në fakt ishte një ndeshje e ngarkuar emocionalisht. Shënuam shpejt dhe kjo na e lehtësoi disi punën megjithatë u vumë në vështirësi nga kundërshtari. Respektuam publikun e shumtë që kishte ardhur për të në përkrahur dhe të gjithë sëbashku me këtë fitore, festuam edhe 94 vjetorin e klubit. Nëse këtë herë tifozët nuk i kënaqëm ashtu siç duhet me lojë, besoj se në ndeshjet e ardhshme do të rrisim lojën dhe bashkë me të do të kërkojmë të tjera fitore dhe ky do jetë objektivi dhe në ndeshjen e rradhës në Gjirokastër”.

www.shkodrasport.com