Tre javë nga fundi i Kategorisë së Parë, Bylis siguroi matematikisht rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, vetëm pas një viti mungesë. Skuadra ballshiote, që edicionin e kaluar nuk ia doli të mbijetonte mes më të mirave, ka arritur të bindë këtë sezon duke kryesuar në Kategorinë e Parë dhe me fitoren në javën e fundit ndaj Tërbunit siguroi edhe rikthimin.

Bylis, pas 27 javësh numëron 20 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje, me 63 pikë, pesë më shumë se vendi i dytë, Erzeni. Shijakasit janë shumë pranë rikthimit në elitë, pas 20 vitesh pritje dhe në Shijak janë bërë gati për të festuar një rikthim të shumëpritur.

Erzeni, i rindërtuar totalisht në nisje të këtij sezoni ka arritur të ruajë ritmin e ballshiotëve dhe shpesh kanë shkëmbyer pozicionin e vendit të parë, ndërsa tani, elita është në horizont.

Gjithsesi, Erzeni ende nuk e ka siguruar matematikisht vendin e dytë dhe kjo për meritë të Korabit. Dibranët janë në vendin e tretë, me 5 pikë më pak se shijakasit dhe do të provojnë deri në fund të shpresojnë për vendin e dytë.

Formula e Kategorisë së Parë në këtë sezon ka ndryshuar, me dy vendet e para që sigurojnë ngjitjen e menjëhershme në elitë, ndersa vendi i tretë, i katërt, i pestë dhe i gjashtë do të luajnë në Play-Off për të gjetur një fitues, i cili më pas do të luajë në fund me skuadrën që do të renditet në vendin e tetë në “Abissnet Superiore”.

Një formulë e tillë mban të karikuara disa skuadra, për momentin pjesë e zonës “Play-Off” janë Apolonia, e cila është force e katërt dhe gjithashtu kërkon rikthimin në elitë pas një viti mungesë, Tomori dhe Tërbuni. Gjithsesi, në tre javët e fundit ka shpresë edhe për skuadra të tjera, të cilat janë sa pranë kësaj zone ashtu edhe mbijetesës, zonës “Play-Out” duke kthyer sprintin final të këtij sezoni në shumë interesant.