Ballshiotët janë sot mysafirë në Shkodër teksa luajnë ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Vllazninë. Dueli i parë në Ballsh përfundoi 0-1 në favorin e kuqebluve, ndërsa në këtë sfide, duket se trajneri Josa do të luajë me një skuadër miks edhe për atë, se vëmendja është e përqendruar më shumë te kampionati.
Aq më tepër që në fundjavë, në Ballsh vjen Vora një rival direkt për mbijetesë për mallakastriotët, të cilët synojnë të largohen sa më shpejt nga zona e rrezikut. Në Ballsh duket se do të lënë pushim disa titullarë, duke bërë rotacion në 11- she, ndërsa pritet që në këtë duel të luajnë ata lojtarë që munguan në ndeshjet e fundit në kampionat, për të kapur formën optimale. Megjithatë, pritet që vetën sot para duelit qe starton në orën 16:30, trajneri Mirel Josa të vendosë. Fabjan Përndreca është një nga pikat e forta të Bylisit, ndërsa ka rërë një sezon shumë të mirë, e madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit…
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Fabjan Përndreca, në prag të duelit me Vllazninë në Shkodër ka theksuar se: “Kupa ka specifikë ndryshe nga kampionati, por ne vlerësojmë çdo ndeshje duke dhënë më të mirën. Jemi të disfavorizuar sepse humbëm në ndeshjen e parë në Ballsh dhe për më tepër që luajmë me Vllazninë në Shkodër. Një ndeshje delikate por që për ne do të ketë angazhim maksimal për të bërë më të mirën. Bylisi është në formë të mirë dhe grupi po funksionon.
Unë kam besim se do e ruajmë këtë gjendje dhe në ndeshjen e fundit të kampionatit në Elbasan, duhet ta fitonim duelin madje na u bë padrejtësi sepse nuk u dhanë dy penallti në favorin tonë. Shohim përpara, ajo që iku nuk kthehet dhe të përqendrohemi te sfidat e radhës. Ndeshja në Shkodër vlen shumë edhe në funksion të duelit me Vorën në kampionat, në fundjavë në Ballsh”, tha Fabjan Përmdreca.
FORMACIONI – Sot në orën 16:30 në “Loro Boriçi”, mallakastriotët do të luajnë me ndryshime në formacion. Trajneri Mirel Josa pritet që të bëjë lëvizje krahasuar me sfidat e fundit në kampionat. Do të shuhet mundësia për lëvizje në formacion dhe në çdo repart. Me shumë gjasa mund ta nisin nga fillimi Bruno në mbrojtje por edhe Ualison në sulm dhe me shumë gjasa kjo do të jetë 11-shja anti-Vllazni…


