CAF (Konfederata e Futbollit Afrikan) njoftoi të martën se i kishte hequr Senegalit titullin kampion në Kupën e Afrikës duke ia kaluar atë Marokut. Paçka se Senegali fitoi në fushë mbrëmjen e 18 janarit, CAF e ka marrë këtë vendim me argumentimin se skuadra e drejtuar nga trajneri Pape Thiaw u tërhoq për disa minuta nga fusha duke protestuar për penalltinë e dhënë në favor të Marokut, që në fund u gabua nga Brahim Diaz.
Ky është një vendim i paprecedentë në historinë e çdo finaleje të luajtur në futboll, ndaj Federata Senegaleze e Futbollit (FSF) do e apelojë këtë vendim në Gjykatën e Drejtësisë Sportive (CAS) në Lozanë.
FSF thotë se një vendim i tillë ‘është i padrejtë dhe ‘minon’ futbollin afrikan’.
“Federata Senegaleze e Futbollit (FSF) dënon një vendim të padrejtë, të pashembullt dhe të paprecedentë që ‘minon’ futbollin afrikan.
Për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj të futbollit senegalez, Federata do të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur një procedurë para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
FSF-ja riafirmon angazhimin e saj të palëkundur ndaj vlerave të integritetit dhe drejtësisë sportive dhe do ta mbajë publikun të informuar për çdo zhvillim në këtë çështje”, bën me dije Federata Senegaleze e Futbollit.


