Fabio Cannavaro, kapiten dhe simbol i Italisë kampione bote në vitin 2006, ka rikujtuar një nga momentet më të famshme të finales së atij Botërori, goditjen me kokë të Zinedine Zidane ndaj Marco Materazzi-t. Në një intervistë për ESPN, me rastin e 20-vjetorit të triumfit në FIFA World Cup 2006, ai ka zbuluar disa prapaskena nga ajo natë historike.
Cannavaro tregoi se skuadra italiane mbeti e befasuar nga reagimi i Zidane, i cili la Francën me një lojtar më pak dhe mbylli karrierën e tij në mënyrë të papritur. “Më pëlqente Zidane, ishte një nga yjet më të mëdhenj të brezit tonë, por duhet ta pranojmë se bëri një gabim të madh”, u shpreh ai.
Sipas tij, pavarësisht se çfarë mund të ketë thënë Materazzi, reagimi i francezit nuk ishte i justifikueshëm. “Marco na tregoi çfarë kishte ndodhur dhe shumë prej nesh mbetëm të habitur. Të gjithë pyesnim si ishte e mundur një reagim i tillë për diçka kaq të vogël”, shtoi Cannavaro.
Ish-mbrojtësi nuk hyri në detaje për fjalët e shkëmbyera, por theksoi se edhe sot, pas kaq shumë vitesh, është e rëndësishme që lojtarët të ruajnë qetësinë dhe ajo që ndodh në fushë të mbetet aty.
Ai foli gjithashtu me vlerësim për Materazzi-n, duke theksuar se, pavarësisht imazhit si mbrojtës i ashpër, ai kishte vlera të mëdha njerëzore dhe ishte krenar që kishte ndarë suksesin me të.
Në fund, Cannavaro komentoi edhe situatën aktuale të Italisë, duke thënë se skuadra ka humbur pak siguri, por mbetet e rrezikshme: “Në Botëror, të gjithë do të kenë sërish frikë nga Italia”.


