Erzeni ka regjistruar sot barazimin e 14 të këtij sezoni, duke u ndalur në “Niko Dovana” me shifrat 0-0 përballë Kastriotit. Pas ndeshjes ka folur edhe trajneri i krutanëve, Emiljano Çela.

“Nuk ka arsye pse të na mungojë dëshira, ne punojmë kemi cilësi, sot patëm dominim, qarkullim patëm dhe lodhje, nuk jam i kënaqur me rezultatin. Kam gjithë kampionatin nuk kam goditur në asnjë zëvendësim, jam i kënaqur nga ekipi, bënë çdo gjë që kishin punuar. Nuk mund të flas për jashtë futbollit sepse jam shumë por shumë i mërzitur.

Po si të fitojë Erzeni me ne? Po nuk ka shanse të fitojë, jemi ekip më i mirë. Kemi pasur disa probleme ndeshjet e fundit, ne po pësojmë trauma të njëpasnjëshme, sot kërkova ekuilibra. Sot patjetër meritonim më shumë. Evidentova problemet, mbrojtja kundërshtare ishte perfekte. Në disa zona të veçanta ishim superiorë, jo çdo gjë që përgatit përkthehet në realizim.

Nuk më pëlqeu fundi i lojës, kishim probleme në zonë të rrezikshme. Morëm disa faulle. Ishte një gol i anuluar, nuk e di ç’mendoni ju, për mua ishte gol. Ne do bëjmë maksimumin tonë, punojmë çdo ditë, lojtarët po përgjigjen në mënyrë perfekte, do bëjmë maksimumin se sa do realizohet nuk e di, ashtu si po shkon kampionati nuk është më në dorën tonë.

Nuk thash që Erzeni është ekip i dobët, jemi ekip më i mirë dhe lojtarë më cilësorë dhe e kemi treguar. Kemi dominuar në të treja ndeshjet që kemi luajtur”, tha Çela për “Oversport” pas duelit.