Romelu Lukaku duhej të paraqitej sot në qendrën stërvitore të Çelsit, ashtu si kishte paralajmëruar disa ditë më parë Mauricio Poçetino, që kishte kërkuar rikthimin e tij, por gjërat kanë ndryshuar te londinezët.
Lukaku është ende me pushime në Sardenjë dhe klubi i Tod Bohlit i ka dhënë leje sulmuesit që të kthehet në grumbullim të hënën e ardhshme, pra në datën 17 korrik, një afat gjatë së cilit Çelsi shpreson të gjejë akordin me Interin për transferimin e belgut në Milano. Anglezët vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesën e tyre prej 45 milionë eurosh, por nuk do të kundërshtonin një ofertë prej 40 milionë eurosh, me Interin që duket i vendosur për të mos shkuar përtej 35 milionë eurove, përfshirë këtu edhe bonsuet për huazimin me detyrim blerjeje të Lukakut.
Avokati i sulmuesit Sebastian Ledur, që është njëkohësisht edhe ndërmjetësi i operacionit, do të vazhdojë tratativat, duke përfituar edhe nga raporti i shkëlqyer që presidenti Bohli ka me “Roc Nation Sport”, agjencia amerikane me president Jay-Z që kuron interesat e Lukakut. Për këtë kontaktet në aksin Milano-Londër vazhdojnë me synimin për të kapërcyer diferencën prej 10 milionë eurosh që ekziston mes palëve, me bonuset e lidhura me trofetë e mundshëm të fituar të Interit që priten të bëjnë diferencën.
PSG-ja DHE LOJTARI – Sigurisht që një peshë të madhe në gjithë këtë operacion e ka edhe vullneti i vetë lojtarit që ua ka bërë të qartë të gjitha palëve se nuk dëshiron një skuadër tjetër veç Interit dhe është gati të ulë nga 8.5 në 7.5 milionë euro edhe rrogën e tij, si një mënyrë për ta lehtësuar disi tratativën. 30-vjeçari i ka mbyllur derën Juventusit dhe Arabisë Saudite, por sipas “Corriere dello Sport” në monitorimin e situatës së Lukakut është vendosur edhe PSG-ja. Parisienët kërkojnë të nënshkruajnë me një sulmues përpara përfundimit të merkatos verore dhe belgu është në listën e tyre, edhe pse për momentin e gjitha është ende në fazë vrojtimi.