Amir Rrahmani do të sjellë në arkat e Veronës të paktën 12 milionë euro. Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, që vite më parë u la i lirë nga skuadra e Partizanit, sot do të shtohet në organikën e Napolit si përforcim për Xhenaro Gatuzon në merkaton dimërore. Së fundmi, mediat italiane kanë zbardhur edhe detajet e transferimit të mundshëm teksa për napolitanët pritet që të jetë një afrim në paketë: Rrahmani dhe Amrabat për 30 milionë euro.

Qendërmbrojtësi – Amir Rrahmani është futbollisti i cili ka ruajtur një profil të ulët përgjatë gjithë karrierës së tij dhe me përkushtim maksimal do të jetë shpejt në nivelet më të larta të Serisë A. Dëmtimi i Kulibalisë ka bërë që te Napoli të mendojnë menjëherë për zëvendësues.

Pak ditë më parë, ishte Arbër Abilaliaj, një prej bashkëpunëtorëve të kompanisë e cila ka në menaxhim kapitenin e Kosovës, që deklaroi se transferimi i qendërmbrojtësit ishte thuajse i kryer. Së fundmi, në Itali është bërë me dije se ky transferim do të kushtojë të paktën 12 milionë euro për napolitanët.

Partizani – Amir Rrahmani në vitin 2013 iu bashkua Partizanit nga skuadra e Drenicës në Kosovë. Për dy sezone, ai ishte një mbrojtës titullar me të kuqtë, por në fund, u la i lirë.

Skuadra kryeqytetase nuk e vlerësoi si një alternativë për të ardhmen, madje duke mos kërkuar prej tij as ndonjë klauzolë për të drejta të rishitjes. Nga të kuqtë, Rrahmani kaloi në Kroaci te skuadra RNK Splitit prej nga ku u ble nga Dinamo-Zagreb.

Nëse të kuqtë kanë fituar vetëm 1 për qind nga shitja e Rrahmanit nga RNK Split, sot Verona do të arkëtojë të paktën 12 milionë euro prej tij. Rrahmani është kapiteni i Kosovës dhe me “Dardanët” kanë shanse për të shkuar në Europian, nëpërmjet Ligës së Kombeve.