Opinion nga Irfan Rama

Kësaj pyetjeje “Fiction” mund t’i përgjigjesh në mënyra të ndryshme, si nga unë bartësi i këtij opinioni, gazetarë e specialistë të ndryshëm, ashtu edhe shumë sportdashës.

Mund të ketë përgjigje pozitive, negative ose të përzierë apo përgjysmë. Fakti që në shumë ekipe shqiptare të Superligës ka shumë e shumë të huaj mediokër ose gjysmë mediokër në standartet e mesme të cilësisë së futbollit (këtu kam parasysh futbollin shqiptar e atë europian të niveleve të mesme të zhvillimit të futbollit), ka një një pjesë lojtarësh nga Kosova të privilegjuar për të luajtur e marrë para në futbollin tonë gjysmë të kompletuar nga pikëpamja infrastrukturore shumëplanëshe e aspektit financiar, ka shumë lojtarë të huaj në Kategorinë e Parë që ia asfiksojnë frymën shumë lojtarëve e talenteve shqiptare, që vagullojnë në çdo kënd e anë të Shqipërisë (vetëm ekipi i Besëlidhjes ka firmosur kontrata me 6 lojtarë serbë në këtë janar dhe ndeshjen e parë të fazës së dytë u mund në Pogradec), ka shumë shkodranë të talentuar që rendin sa andej këndej në Shqipërinë e vogël apo në vende të ndryshme e të Europës si “zogjtë e korbit” e nuk kthehen më, siç kthehen shumë zogj shtegtarë në foletë e tyre. Pasi zerohen e asfiksohen për shumë arsye. Kundron ekipet përfaqësuese të moshave të ndryshme të Shqipërisë dhe ka shumë shqiptarë nga Kosova, ndërkaq nga Shqipëria e talenteve të padiskutueshme të Vllaznisë, Tiranës, Partizanit, Vlorës, Durrësit, Elbasanit ka pak, shumë pak ose me gjysmë zëri, aspak, talente nga vendi amë e që njihet botërisht. Por le të specifikojmë jo shterueshëm elementët përbërës të pyetjes së shtruar në titullin e këtij shkrimi:

Artan Bushati dhe Agron Çela u thonë “PO”, shkodranëve

Them fillimisht Artan Bushati e më pas emrin e biznesmenit të njohur e shumë shkodran, Agron Çelës, sepse ishte ai, Bushati, i cili qysh në ndeshjen e parë kundër Skënderbeut futi në formacionin triumfues katër shkodranë: Seminën, Gjinin, Bardullën dhe Tafilin. Por filozofia e shkollës së lakmueshme shkodrane po zbatohet edhe sipas filozofisë së hershme të presidentit të ri, por me eksperiencë shkodrane, Agron Çelës. Kjo filozofi, ndonëse akoma e familjarizuar dhe e konsoliduar në kuptimin e shumëcepshëm, i dha frytet e saj edhe në fitoren e dytë të shkodranëve, ndaj skuadrës së fortë të Kukësit (jokuksiane e përbërë). Fitorja e Vllaznisë ndaj Kukësit, ndonëse nuk kishte fantazinë e cilësinë e të bukurit futboll, ishte tepër fizike e taktike e me një arsenal lojtarësh shkodranë që kushtojnë pak, por që vlejnë shumë për rishkodranizimit të lojës Vllaznisë, që e kanë kaluar plot emocion pirgje lojtarësh të mëdhenj. Por do të ketë edhe talente të tjerë shkodranë që do të përcillen në epokën e re Bushati-Çela ose Çela-Bushati…

Kombëtaret Shqiptare dhe mungesa e futbollistëve nga Shqipëria

Më bëri shumë përshtypje fakti që në përbërjen e përfaqësueses Shpresa të 21-vjeçarëve të Shqipërisë kundër 21-vjeçarëve të Maqedonisë (0-0 në Laç) ishin plot 11 shqiptarë nga Kosova (ndoshta edhe ndonjë treve tjetër shqiptare) dhe “etnikët” e truallit shtetëror të Shqipërisë thuajse plotësisht mungonin! M’u kujtua ajo shprehja e Ismail Qemalit te filmi “Nëntori i dytë”, kur para mbërritjes në Vlorë, ju drejtua komandantit të garnizonit turk që donte ta arrestonte: “A ka shqiptarë në taborin tënd turk që duan të bashkohen me ne?” Dhe me radhë një nga një shqiptarët hoqën qeleshet turke dhe iu bashkuan plakut të Vlorës. Ky perifrazim, por në kuptimin e thelbit të shkrimit tonë mendoj se ia vlen të shqyrtohet. A thua nuk ka talente të mirëfillta në gjirin e 15, 17, 19, 21- vjeçarëve të kampionateve të Shqipërisë të vlefshme për përfaqësueset e Shqipërisë? Pa diskutim mendoj që ka. Ndaj është e domosdoshme që syri i Mustetanagiçit, Foto Strakoshës, Skënder Gegës, por edhe e koordinatorëve të zonave për përzgjedhjen e talenteve të Shqipërisë, që paguhen nga FSHF-ja, duhet të rrokë e grumbullojë në ekipet përfaqësuese të moshave, lojtarë nga ekipet moshore me emër e pa emër të klubeve shqiptare. Ndoshta mund të bëheshin edhe ndeshje seleksionuese midis përfaqësueseve të moshave të kampionateve shqiptare me përfaqësueset e zgjedhura nga trajnerët e “konglomerateve” shqiptare. Shqipëria është përfaqësuar në të gjitha dekadat nga talentet shqiptare në Shqipërisë komuniste dhe shumë vjet paskomuniste dhe ka fituar tituj Ballkani midis Shpresave apo hyrje në 8 skuadrat më të mira të Europës me Demollarin në krye. A ka Shqipëria Shyqyri Ballgjinë, Sulejman Demollarë, Vasillaq Zërë, Ilir Përnaskë, Sabah Bizë, Jani Kaçë, Foto Strakoshë etj? Them se po. Ato duhet të përzgjidhen, përpunohen e të bashkohen me kosovarë, shqiptarë që luajnë në europë me klube të ndryshme e të japin përfaqësuese moshash të përziera cilësisht e shqiptarisht. Se ndryshe gabohet historikisht, shkencërisht, moralisht e psikologjikisht. Mund të krijohen edhe divergjenca identitare këtej dhe andej kufijve të Shqipërisë. Në radhë të parë i bëhet dëm zhvillimit të futbollit shqiptar.

A duhet të mbyllen zyrat e talenteve të reja të FSHF-së në Europë?

Unë mendoj se zyrat e talenteve të ngritura në Greqi, Zvicër, Itali etj nga FSHF-ja, kanë bërë një punë shumë të mirë, pasi kanë evidentuar shumë talente shqiptare nga Shqipëria, Kosova etj (rreth 580 evidentime), të cilët nuk njiheshin nga FSHF-ja, trajnerët e ekipeve kombëtare dhe sektori përkatës në institucionin e futbollit. Nuk jam aspak dakord me mendimin e hedhur në formë urdhri të një pene të njohur në shtypin shqiptar sportiv, që i kërkon me dhunë (skriptisht) FSHF-së që të mbyllen zyrat e talenteve të reja në vendet ku janë, me preteksin “se dëmtohet futbolli i Shqipërisë e se Shqipëria nuk duhet t’ua grabisë shteteve të tjera talentet që i kanë formuar e zhvilluar vetë! Gjepura. Shumë shtete në Europë e Botë japin e marrin nga njëri-tjetri futbollistë me origjinë nga vendet e tyre apo të njëri-tjetrit madje natyralizojnë të huaj dhe i bëjnë me shtetësi të tyre vetëm e vetëm të luajnë me kombëtaret e tyre e t’i shërbejnë kombeve e futbolleve të tyre. Është paradoksale e hiçmendore që të mos lejosh ta zhvillosh këtë përvojë në Shqipërinë tonë të vogël. Konceptet e epokës së “Kastrizmit dhe komunizmit” nëpërmjet edhe ultimatumeve shkrimore nuk kanë vend në kushtet e lirisë e globalizmit të gjthçkaje në botë e aq më shumë në Shqipëri që aq shumë ka hequr nga “filozofia e UNIT” dhe diktatit të tij. Mendoj se FSHF-ja duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje edhe zyrave të talenteve në Shqipëri e bashkë me ato jashtë, të krijojnë konkurrencën e ndershme e të vërtetë për zhvillimin e futbollit shqiptar.