Inter mposht Juventusin 3-2 në “San Siro” në supersfidën e javës së 25-të në Serie A dhe vazhdon kryesimin i qetë në Serie A. Kjo ishte fitorja e gjashtë rresht për zikaltrit në kampionat.
Sfida u zhbllokua në minutën e 17-të, ku pas një topi të humbur në zonë nga Jonathan David dhe asistit të Marcus Thuram, pasimi i Luis Henrique për Lautaro Martinez devijohet në portën e tij nga Andrea Cambiaso.
Në minutën e 26-të, Cambiaso shlyen gabimin dhe barazon shifrat me golin e tij, pas asistit të Weston McKennie. Pas një krosimi në zonë, mbrojtësi italian tregohet më i vëmendshëm sesa Luis Henrique dhe dërgon topin në rrjetë.
Në minutën e 42-të, Thuram godet me kokë, por Di Gregorio bën një pritje të mrekullueshme, ndërkohë që Alessandro Bastoni godet shtyllën. Pierre Kalulu merr kartonin e dytë të verdhë në pak minuta pas një kontakti me Bastonin, dhe largohet nga fusha e lojës, duke ia bërë gjërat shumë më të vështira Juventusit. Pjesa e parë mbyllet 1-1.
Pjesa e dytë nis më mirë për Juventusin, në minutën e 51-të, tre tentativat e bardhezinjve me Cambiaso, Yildiz dhe Miretti, ndalen nga Yann Sommer. Në minutën e 76-të, Francesco Pio Esposito i futur pak minuta më parë në fushë në vend të Luis Henrique, gjeti golin e avantazhit për Interin, pas krosimit perfekt të të zakonshmit Federico Dimarco.
Megjithatë, Juventus nuk u dorëzua duke barazuar sërish shifrat. Këtë herë ishte Manuel Locatelli, i cili shenoi me një goditje të bukur me të djathtën brenda zonës, pas asistit të McKennie.
Në minutën e fundit të kohës së rregullt, ishte Piotr Zieliński që shënoi një gol spektakolar me një goditje të fuqishme nga distanca, duke i dhënë sërish avantazhin Interit dhe këtë herë fitoren përfundimtare 3-2.
Pas kësaj fitoreje spektakolare, Inter kryeson renditjen me 61 pikë, Juventus mbetet në vendin e pestë me 46 pikë./telesport/


