Sulmuesi i Chelseat, Cole Palmer, i cili mungon prej fundit të shtatorit për shkak të një dëmtimi në ijë, ka dhënë një përditësim për gjendjen e tij fizike, duke theksuar se po punon vazhdimisht për t’u rikthyer në formën më të mirë.

Në një postim në Instagram, 23-vjeçari ndau tetë fotografi, mes tyre edhe një nga palestra, të cilat i shoqëroi me mbishkrimin: “Çfarëdo që thotë fotoja e pestë”.

Palmer, që këtë sezon ka zhvilluar vetëm katër ndeshje, pritej fillimisht të rikthehej pas pushimit të kombëtareve.

Megjithatë, trajneri Enzo Maresca ka konfirmuar se rikthimi i tij do të vonohet, me klubin që synon ta ketë plotësisht të gatshëm drejt fundit të nëntorit.

“Shpresojmë kështu, por me Cole gjithçka duhet planifikuar dhe rishikuar vazhdimisht. Po ecim ditë pas dite. Ai ende nuk është bashkuar me ekipin në stërvitje”, ka thënë Maresca para udhëtimit të Chelseat drejt Qarabagut.

“Do të doja ta kisha Cole në dispozicion nesër dhe në çdo ndeshje, por fatkeqësisht ai është i dëmtuar. Gjithsesi, po bëjm çmos ta kemi sërish në fushë sa më shpejt”, përfundoi Maresca.

Dëmtimi i ka ndërprerë ndjeshëm ecurinë e Palmer në këtë fillim sezoni, por lojtari mbetet optimist për rikthimin.

Chelsea, nga ana tjetër, po ndjek me kujdes procesin e rehabilitimit për të siguruar që ai të rikthehet plotësisht i gatshëm në skuadër.