Interi i Chivu u mposht mbrëmë 2-1 nga Atletico Madridi, pas një goditjeje këndi në minutat e fundit, me golin vendimtar të Gimenez. Në konferencë, trajneri tha: “Mbledhje pas ndeshjes? Piva tri cigare dhe i thashë skuadrës çfarë duhej.
Kjo humbje djeg shumë. Në disa momente bëmë mirë, pas golit të parë reaguam. Ndoshta u tërhoqëm pak, por kjo është edhe meritë e tyre. Shpenzuam shumë energji, por fatkeqësisht e pësuam në fund, edhe pse kishim kërcyesit më të mire në lojën me kokë”.
I pyetur për shqetësimet, ai u shpreh: “Kjo skuadër duhet të reagojë dhe të jetë e vetëdijshme për forcën e saj. Duhet më shumë cinizëm dhe më pak kërkim i bukurisë. Nuk fituam kur patëm mundësinë, pastaj s’e mbrojtëm rezultatin”.
Për konkretizimin: “Në pjesën e dytë pati gjëra të mira. Duhet të punojmë më shumë para portës. Skuadra është e bukur, por duhet të jetë edhe ‘e pistë’ dhe agresive”. Për zëvendësimet: “E prisnim reagimin e tyre. Pas derbit kishim pak energji. Askënd s’e qortoj, por të gjithë mund të bënim më shumë”.















