Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi në prononcimin për SuperSport pas ndeshjes, u shpreh se ndeshjen e vendosi kualiteti i Anglisë dhe tentuan t’i bënin presing nga lart kundërshtarit, por nuk ia dolën.
“Është një ndeshje që duhet të bënim mirë, u munduam të luajmë futboll ofensiv, ti bënim presing lartë Anglisë, besoj se në minutat e para ia arritëm, por ne pësojmë gola nga goditje standarde duke ditur dhe kualitetin e Anglisë që të shënojnë në lojë të hapur.
Të pësosh gol në goditje standarde është mungesë përqendrimi. Më vjen keq për tifozët e pranishëm, pro dhe ata nga shtëpia. Uroj ta kalojmë sa më shpejtë, sot vendosi kualiteti i Anglisë.
Një rast nëse e ke, duhet ta shfrytëzosh. Fatkeqësisht atë rast që kishte Uzuni nuk arriti ta shënonte. Nuk duhet thënë shumë për Uzunin se askush më shumë se ai nuk do të donte të shënonte. Edhe goditjet e mia nuk bënë efekt, në pjesën e dytë shkoi drejt portierit.
Më thënë të drejtën ekipe të tilla një rast presin. Godita dy tre herë në pjesën e dytë, por isha i pafat dhe ne mund ta bëjmë diferencën vetëm kur jemi në grup, kur luftojmë të gjithë së bashku, goli i parë na shokoi disi, është shumë e vështirë për të bërë lojë të hapur me Anglinë”, mbylli fjalën e tij Cikalleshi.