Ndryshimet në futboll kanë vite që diskutohen, teksa së fundmi IFAB (Bordi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit) po mendon që të zgjasë pushimin mes pjesëve. Nga 15 minuta, diçka e tillë kërkohet të bëhet 25 në ligat që kanë mundësi për aktivitete zbavitëse, apo mini-koncerte argëtuese për tifozët në intervalin mes pjesës së parë dhe të dytë.
Diçka e tillë i është propozuar FIFA, me institucionin e futbollit që e thotë qartë se pushimi nuk është më shumë se 15 minuta. Pas CONMEBOL në Amerikën e Jugut që kërkoi pak kohë më parë më shumë shfaqje dhe spektakël mes pjesëve për të rritur të ardhurat, diçka e tillë po merr përmasa serioze.
DailyMail në Angli bën me dije se disa federata mund të jenë pro, duke ndryshuar rregullat. Megjithëse FIFA ka dhënë argumetet e saj, një ide e tillë pritet të diskutohet sërish. Kundërshtimet lidhen me formën e lojtarëve dhe periudhën e pushimit që mund të ndikojë në gjendjen fizike apo dëmtimet.
Një kopjim i Super Bowl në SHBA, kjo është ideja për shfaqje dhe reklama marramendëse në eventet speciale. Tanimë do jetë në dorë të FIFA për të bllokuar apo aprovuar një ide të tillë, që do ta kthente futbollin në një lojë komerciale, çka mund të sillte reagime të forta nga tifozët./newsport/