Cristiano Ronaldo përjetoi momentin më negativ të karrierës së tij në kombëtare! Ai u ndëshkua me kartonin e kuq të parë në 226 ndeshje me Portugalinë, në humbjen befasuese 2-0 ndaj Irlandës.

Sulmuesi 40-vjeçar la lojën në minutën e 59-të, pas një goditjeje me bërryl ndaj mbrojtësit Dara O’Shea. E ky veprim mund t’i kushtojë shtrenjtë.

Sipas Kodit Disiplinor të FIFA-s, “goditja me bërryl” dënohet me tre ndeshje pezullim. CR7 do të humbasë ndeshjen finale të kualifikimeve ndaj Armenisë të dielën.

Por nëse FIFA vendos për tri ndeshje, legjenda portugeze do të mungojë edhe në dy takimet e para të Grupit F në Botërorin 2026, turneu që vetë Ronaldo e ka shpallur si të fundit në karrierën e tij ndërkombëtare.

“Ai më uroi që ia vura presion arbitrit,” pas takimit tha trajneri i irlandezëve, Heimir Hallgrimsson, i cili më herët kishte kërkuar ndryshimin e arbitrit suedez Glenn Nyberg.

Ai tha me ironi se CR7 e uroi që e vuri nën presion gjyqtarin, porse ai nuk ka lidhje me veprimin e lojtarit, vetëm nëse do të kishte hyrë në mendjen e lojtarit.

Tani ylli portugez pret me padurim vendimin e Komitetit Disiplinor të FIFA-s. Mungesa në dy takimet e para të Kupës së Botës, sigurisht që do t’i linte një shije të hidhur kapitenit të luzitanëve, që ka shansin e fundit të lërë shenjë.