Kur Fernando Santos, trajneri i Portugalisë në vitin 2021, foli për Cristiano Ronaldon në prag të “Euro 2020” (i luajtur një vit më vonë se sa pritej për shkak të pandemisë së koronavirusit), pak njerëz rezultuan të ishin në anën tjetër të barrikadës së mendimit.
“Ronaldo në Kampionatin Evropian të ardhshëm? Është e vështirë të bësh parashikime, por ne po flasim për një sportist të jashtëzakonshëm. Më pas motivet kanë rëndësi, shikoni çfarë bëri Buffon në moshën 43-vjeçare, – tha Santos, duke cituar ish-portierin e Italisë, i cili ishte ende aktiv dhe u tërhoq në vitin 2023. – Ne po flasim për diçka që do të ndodhë pas tri vjetësh, nuk është e lehtë të bësh parashikime. Nuk e di nëse Cristiano do të jetë atje, gjithçka do të varet nga kushtet e tij fizike”.
Tri vite pas këtyre fjalëve, Cristiano Ronaldo paraqitet rregullisht në “Euro 2024” si lojtari më i vjetër në mesin e kombëtares portugeze, një nga të paktët e lindur më 1985, i pranishëm në Gjermani kësaj vere.
I GJASHTI EVROPIAN PËR CR7
I thirrur nga trajneri Roberto Martinez pas një rrugëtimi drejt fazës finale si protagonist, Cristiano Ronaldo merr pjesë në Kampionatin e tij të gjashtë Europian. Gjatë gjithë karrierës së tij, ylli luzitan fitoj Europianin e vitit 2016, duke luajtur gjithashtu finalen në pjesëmarrjen e tij të parë që datonte më 2004, kur Greqia mbizotëroi në finale. Në vitin 2008, Portugalia u ndal në çerekfinale, katër vite më vonë në gjysmëfinale. Më 2021, Cristiano Ronaldo dhe shokët e tij e mbyllën turneun në 1/8 finale.
I PARI NË TË GJITHA
Me Kampionatin e gjashtë Europian në xhep, Cristiano Ronaldo do të mund të rrisë shifrat e tij, të cilat tashmë janë “top”. Mjafton të thuhet se askush nuk ka shënuar më shumë gola në total (14) dhe në fazën e grupeve (11), apo ka luajtur më shumë ndeshje (25) në historinë e kompeticionit kontinental të kombëtareve se 39-vjeçari portugez.
“Euro 2024” e vendos gjithashtu Cristiano Ronaldon përpara Casillas, i cili u thirr në pesë Kampionate Evropiane (edhe nëse ishte në fushë vetëm në tre prej tyre). Cristiano Ronaldo, edhe pse jo i vetëm, gjithashtu pushtoi podiumin e golashënuesit më të mirë në Europianët e viteve 2012 dhe 2021, i vetmi që e bëri këtë.
SEZONI 2023-2024
Kampionati saudit nuk është sigurisht një nga më të mirët në botë, por Cristiano Ronaldo arriti të bëjë më mirë se shumë kampionë të rinj dhe emra të mëdhenj absolut, të marrë në këmbim të pagave stratosferike në Ryhadh dhe rrethinat e tij.
Cristiano Ronaldo kryeson listën e golashënuesve në Arabinë Saudite, duke e mbyllur sezonin me 50 gola në 51 ndeshje, në garat e ndryshme ku mori pjesë Al-Nassr. Në kampionat, konkretisht, Cristiano Ronaldo ka shënuar më shumë se një gol për ndeshje, në fakt 35 gola në 31 ndeshje.
KAMPIONATI BOTËROR DHE EVROPIAN
Në shkurt, Cristiano Ronaldo do të mbushë 40 vjeç. Dalja në “pension” nuk duket e afërt, aq sa shumë janë duke “vënë baste” për Kupën e Botës 2026 në SHBA dhe Kampionatin Evropian 2028 në Irlandë e Mbretërinë e Bashkuar. A është e mundur të shihet CR7 edhe në dy kompeticionet e mëdhenj të ardhshëm? Siç tha Santos në vitin 2021, motivimi ka rëndësi…/telesport/