Kampionati shqiptar edhe këtë fillim sezoni po vuan mungesën e stadiumeve për zhvillimin e ndeshjeve. Skuadra si: Kukësi, Laçi, Teuta apo edhe Partizani dhe Kastrioti janë të detyruar të “shtegtojnë” për shkak të mungesës së impianteve për të zhvilluar takimet.

E sërish këtë javë do ketë një mbingarkesë në stadiume të caktuara. I tillë është edhe “Egnatia Arena”. Stadiumi i cili ndodhet në Rrogozhinë dhe është një stadium i cili është rikonstroktuar së fundmi, po shndërrohet në një fushë shumë të frekuentuar nga ekipet e Superligës.

Kështu ky stadium në 24 orë do presë dy sfida këtë javë. Të shtunën ndeshjen mes vendasve të Egnatias dhe Teutes në orën 13:45 dhe ndeshjen Kukësi-Vllaznia të dielën po në orën 13:45. Pra vetëm 24 orë dhe në këtë stadium do luhen 2 ndeshje.

Diçka e paimagjinueshme në futbollin e sotëm ku nuk mendohet që një ekip të mos ketë stadiumin e tij për të zhvilluar ndeshjet. Kjo është një vërejtje për të gjithë në futbollin tonë.

Duke filluar nga federata e futbollit që lejon klubet të nisin garën pa pasur një shtëpi, e duke vijuar me drejtuesit e klubeve që ende janë shumë larg profesionalizmit të vërtetë në sport.
Endri ÇINARI