Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka folur para pak minutash në konferencën e zakonshme të shtypit një ditë para ndeshjes, ku ka dalë bashkë me kapitenin Ylli Shameti.

Cungu ka theksuar se skuadra e tij duhet të jetë shumë e kujdesshme në ndeshjen e nesërme me Karabakun për të mos pësuar. Ai nuk pranoi ta bënte të ditur formacionin, ndërkohë që pret mbështetjen e publikut shkodran.

Trajneri I Kukësit u shpreh gjithashtu se skuadra ka nevojë për të tjerë lojtarë me kualitet, veçanërisht në fazën sulmuese:

“Jemi përpara një ndeshjeje të vështirë dhe të rëndësishme. E njoh Karabakun prej kohësh, jo tani që e kemi kundërshtar.

Ndoshta nga fakti që aty kanë luajtur futbollistë shqiptarë. Kam parë edhe ndeshjen e fundit të këtij ekipi dhe e di që është një ekip i fortë.

Po shoh që pak e nga pak ekipi po merr fytyrën e tij, pasi ka pësuar ndryshime dhe duhej kohë. Për kaq kohë sa jam te Kukësi, jam shumë i kënaqur me punën që kanë bërë djemtë në stërvitje.

Tifozi shkodran është im mirëpritur për këtë ndeshje dhe i bëj thirrje të jetë sa më i shumtë në numër. Në fund të fundit, po mbështesin një ekip shqiptar, ku jam unë si shkodran, por është edhe Kalaja.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, duam të bëjmë diçka të mirë që nesër, per ta lënë kualifikimin të hapur për në ndeshjen e kthimit.

Presim nga dita në ditë ndonjë afrim kualitativ, që të na forcojë në Kupat e Euiropës, por edhe në kampionat. Ekipi ka nevojë. Na duhen lojtrarë që bëjnë diferencën, sidomos ata lloj lojtarësh që na ndihmojnë në lojën kur ne kemi zotërimin e topit, pra në lojën sulmuese”, – tha mes të tjerash trajneri Cungu. / Vipsport/