Java e 19-të e Abissnet Superiore do të mbyllet nesër dhe një ndeshje me mjaft rëndësi për të dyja skuadrat është ajo midis Laçit dhe Vllaznisë.
Armando Cungu në të kaluarën, ka drejtuar edhe Vllazninë edhe Laçin, por në ndeshjen e nesërme, si shkodran që është ai thotë se bën tifo për Vllazninë, teksa ka analizuar edhe ndeshjen e nesërme.
Në një intervistë për “Shkodra Sport”, trajneri shkodran ka folur para ndeshjes mes dy skuadrave, duke thënë se kuqeblutë e Brdariç duhet të dijnë të shfrytëzojnë dy mungesat kyçe të Laçit, siç janë Shehu dhe Lushkja, me këtë të fundit që është larguar tashmë
“Për mendimin tim, është ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave mes dy ekipeve rivale, sa i përket objektivave. Vllazninë e vendit të katërt e ndajnë katër pikë me Laçin e vendit të dytë.
E shoh si një ndeshje me shumë rëndësi për Vllazninë që duhet të kërkojë tre pikët për të iu afruar kundërshtarit dhe për të qenë sa më afër kreut, në të kundërt hendeku bëhet më i madh mes këtyre dy ekipeve dhe Vllazisë i zbehet edhe më tepër mundësia për të pretenduar titullin kampion.
Në letër, Laçi duket më i favorizuar, pasi luan në shtëpi dhe duke parë edhe formën momentale që gëzon si ekipi por edhe pozicionin ku ndodhet do kërkojë me ngulm dhe agresivitet fitoren për të mos lejuar një shkëputje më të madhe nga Tirana kryesuse.
Megjithatë, nuk mendoj se do e ketë të lehtë përballë Vllaznisë që ka motivet e veta për të kërkuar fitoren, ashtu siç bëri në startin e sezonit po në fushën e Laçit. Shto këtu edhe dy mungesat kyçe të lojës së Laçit, si Shehu dhe Lushkja, ku besoj do ia zbehin forcën ekipit të Laçi dhe ku Vllaznia duhet të dijë ta shfrytëzojë këtë moment”,-thekson Cungu.
Në fund, Cungu, i pyetur rreth një parashikimi të mundshëm të kësaj sfide, ai tha se shikon një ndeshje të hapur, ku barazimi ndoshta mund të jetë një rezultat i mundshëm.
“E shoh të hapur si ndeshje, ku të tre rezultatet janë në tavolinë. Megjithatë, edhe një barazim mund të jetë i mundshëm si rezultat. Barazimi do të quhej pozitiv edhe për Vllazninë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri shkodran,
Armando Cungu.
Maringlen ZHIVANI