Një nga sulmuesit më të njohur të kampionatit shqiptar është padyshim edhe vlonjati Daniel Xhafaj. Njeriu që ka shënuar pas Vioresin Sinanit më shumë gola se gjithë të tjerët, ndodhet prej disa vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vëmendjen e ka gjithnjë tek futbolli shqiptar.
Gjatë një lidhje të drejtëpërndrejtë me emisionin “Fax Sport” të gazetares Klevisa Alinani, ai ka analizuar ecurinë e deritanishme të Vllaznisë dhe po ashtu edhe të skuadrave të tjera duke thënë se do të jetë një garë e fortë deri në fund.
“Vllaznia ka zhvilluar një futboll shumë të bukur dhe normalisht që në një sezon të gjatë do të ketë edhe luhatje. Por ajo ka sërish pikët avantazh, ka grupin me të cilin ka patur sukses deri tani.
Kemi të bëjmë me një grup lojtarësh të etur për fitore, njerëz të rinj e me dëshirë për të bërë diçka të mirë për atë skuadër dhe për atë qytet.
Unë mendoj se deri në fund të kampionatit përveç Vllaznisë, edhe Partizani, Laçi e Teuta do të jenë ekipet që do të rivalizojnë për titullin kampion. Unë parashikoj një luftë të fort sportive në mes këtyre katër ekipeve.
Por për këto ekipe, vendimtare do të jenë edhe përballjet që do të kenë edhe me Kukësin e Tiranën sepse kanë lojtarë shumë të mirë në rradhët e tyre”- është shprehur Daniel Xhafaj./SHKODRA-SPORT.COM/