Zakonisht fjala rotacion i plotë, në çdo ekip kombëtar, nuk shkon paralelisht edhe me fjalën fitore, pasi çdo ekip ka një rreshtim tip që siguron rezultatet dhe pastaj ndërrohen elementë të veçantë, por pa hequr strukturën ekzistuese.
Megjithatë, kombëtarja e Danimarkës ka treguar në kualifikueset e Botërorit se një teori e tillë e futbollit mund të bjerë lehtësisht poshtë.
Trajneri Kasper Hjulmand, përdori rotacionin e plotë të ekipit të tij në ndeshjet e marsit me rezultate mbresëlënëse. Pas ndeshjes së parë të fituar 2-0 ndaj Izraelit, ai vendosi që për sfidën e dytë kundër Moldavisë të ndryshonte të gjithë formacionin titullar, me përjashtim të portierit Kasper Shmajkel.
Kush mendoi se Danimarka do të ulte ritmin u gabua, pasi skuadra regjistroi një fitore mbresëlënëse 8-0 në atë sfidë duke vendosur rekord të ri të sajin për kualifikueset. Dhe rotacioni nuk përfundoi. Në ndeshjen e tretë, ai zëvendësoi përsëri të 10 lojtarët përveç portierit, duke siguruar një fitore të pastër 4-0 ndaj Austrisë.
Tre ndeshje, 3 fitore, 14 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, me 21 lojtarë të ndryshëm të aktivizuar dhe me 11 shënues të ndryshëm golash. Danimarka që tani është pretendente për të shkuar në Botëror dhe padyshim një nga skuadrat që duhen ndjekur më me vëmendje gjatë ketyre kualifikueseve. /vipsport/