Fitorja ndaj Kastriotit është përjetuar shumë në Shkodër, që në momentin kur Dilaver shënoi për Vllazninë dhe pas ndeshjes, kur tifozët ishin grumbulluar jashtë stadiumit. Madje, me dhjetëra prej tyre kërkuan të futeshin në stadium gjatë ndeshjes, por forcat e rendit pikasën gjithçka dhe në disa raste i dëbuan ata që nuk ishin në listën zyrtare të klubeve. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së luajtur dje në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Kastriotit.
* Pas 10 minutave të para të ndeshjes ka pasur batuta në drejtim të ekipit krutan nga tifozët e pranishëm. “Është herët, filloni të rrëzoheni pak më vonë…”, ishin ngacmimet që vinin nga tribuna.
* Shumë irritim në 15 minutat e para të ndeshjes nga gjyqtari Ardian Beqiraj, teksa nga shkodranët është kërkuar që të ndëshkohen me karton të verdhë dy-tri ndërhyrje të gabuara të lojtarëve miq.
* Në minutën e 18-të e pas një kapjeje prej krahu të kapitenit Gurishta, lojtari mik, Prodani, ia ka hequr shiritin shkodranit, të cilin e ka mbajtur në dorë për afro dy minuta.
* Reagim i ashpër i trajnerit Tomas Brdariç në minutën e 29-të, pas ndërhyrjes së gabuar në dëm të kapitenit Gurishta. Gjermani për pak sa futet në fushë, ndërsa arbitri kryesor e këshillon të qetësohet. Mirëpo, Brdariç vazhdoi të kontestonte arbitrin edhe gjatë pjesës së dytë.
* Në minutën e 37-të, teksa Kastrioti po sulmonte në portën e Vllaznisë, është rrëzuar për pak sekonda gjatë vrapimit anësori Xhuljo Mani. Kjo ka sjellë jo pak të qeshura tek të pranishmit në stadium.
* Sulmuesi i Kastriotit, De Silva, shpesh kërkoi ndihmën e stafit mjekësor dhe për një moment u mendua se do të zëvendësohej. Braziliani vinte pas një dëmtimi të gjatë dhe nuk ishte ende në 100%.
* Në minutën e 82-të, Mehmeti i Kastriotit bëhet protagonist i një debati me lojtarët e Vllaznisë që po qëndronin në pankinë.
* Debate pati edhe në tribunën qendrore mes tifozëve. Një episod që ka marrë shumë vëmendje edhe të vetë lojtarëve dhe stafeve.
* Në minutën e 89-të ka shumë dëshpërim te mbrojtësi i majtë, Aleksandar Isaevski, i cili u ndëshkua me karton të verdhë dhe plotësoi numrin e tyre. Maqedonasi do të mungojë tashmë në një prej takimeve më të rëndësishme të kampionatit, të premten ndaj Partizanit.
* Trajner i Kastriotit, Ramadan Ndreu, ka qenë i pranishëm në dhomat e zhveshjes së ekipit të tij dhe po ashtu është parë në hollin e stadiumit. Duke qenë i dënuar, ai e ka të pamundur të jetë në pankinë.
* Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Brdariç mblodhi skuadrën në fushë dhe aty shpërtheu festa, e cila më pas vazhdoi edhe në dhomat e zhveshjes, ku lojtarët njëzëri këndojnë: “O Vllaznia, je ma e mira, s’ka si ti edhe gjithë Shqipëria”.