Emiliano Çela debutoi me fitore si trajner profesionist në Abissnet Superiore. 36-vjeçari ka marrë drejtimin e Kastriotit me objektivin për ta mbajtur në elitë, dhe sot e nisi mbarë duke fituar 2-0 ndaj Teutës kampione. Ish-mbrojtësi i njohur foli pas takimit për “Gol pas Goli” në Supersport, ku ndër të tjera tha:

“E kisha menduar debutimin me fitore, sepse kam parë shumë përkushtim, dëshirë dhe entuziazëm nga çunat. Jemi munduar të fusim mënyrën time të lojës, që dua ta bëj me këtë ekip dhe këta lojtarë që kam.

E kisha menduar fitoren, megjithëse patëm probleme me virozat javën e fundit. U tremba, por na erdhi Greca dhe Prodani, kështu që luajtëm ashtu siç e kishim përgatitur.

U kam kërkuar lojtarëve të mos e shohin tabelën e klasifikimit. E rëndësishme është të punojmë në mënyrë profesionale, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të kemi entuziazëm dhe të mbledhim pikë.

Opinioni ishte skeptik për fitoren tonë, unë jam koshient. Opinioni ishte skeptik edhe kur u zgjodha trajner, u mendua se Kastrioti u dorëzua duke zgjedhur një trajner të ri, por unë e kam parë si avantazh këtë gjë.

Ne nuk jemi dorëzuar, vazhdojmë të punojmë dhe të kërkojmë. Klubi ka qenë korrekt me pagesat, çdo gjë është profesionale dhe ne nuk dorëzohemi kurrë.

Fitorja ishte një dhuratë shumë e bukur që më bënë lojtarët në debutimin tim. Kartoni i verdhë? I kam thënë edhe arbitrit pas ndeshjes: “Nuk ke faj që më dhe karton, sepse të është bërë ves”.

I kam kërkuar klubit lojtarët që unë dua. Kemi hasur vështirësi në merkato, kam dashur lojtarë të rëndësishëm. Grupin e kam shumë të mirë, nuk doja sasi, kërkova dy blerje të goditura që të krijojnë më shumë alternativa loje.

Shpresoj që të jetë kthyer besimi te drejtuesit pas kësaj fitoreje, në mënyrë që ata të plotësojnë kërkesat tona”, deklaroi trajneri i Kastriotit.