Leon Dajaku, lojtari shqiptar nga Kosova debutoi fundjavën që lamë pas me skuadrën e Bajernit në kampionat kundër Volfsburgut. Lojtari më parë ka luajtur edhe për Shtutgardin, por debutimi me fanellën e kampionëve të Gjermanisë është një arritje e madhe në karrierën e lojtarit.
Në një intervistë për “KTV”, Dajaku e ka cilësuar këtë debutim si një ëndërr dhe një arritje të madhe personale.
“Ishte fantastike, askush nuk do ta besonte se në një kohë kaq të shkurtër do debutoja te Bajerni. Ishte shumë emocion. Trajneri i ri i Bajernit ka shumë dëshirë që të luajnë lojtarët e rinj të skuadrës. Pata fat dhe tashmë mund të them kam luajtur me Bajernin”, shprehet Dajaku.
Më tej ai shton: “Kam luajtur me Shtutgardin për 5 vjet dhe ka qenë një kohë shumë e mirë. Prindërit më kanë mbështetur shumë dhe atë që them unë ata nuk e diskutojnë, kalimi te Bajerni nuk mund t’i thoshe jo”.
“Me Tomos Mylerin shkoi shumë mirë. Ai është një lojtar që bën shumë shaka dhe me “ngacmon” me batuta. Kur kam shkuar te Bajerni, ai që më ka mahnitur është Tiago Alkantara, pasi është fantastik me topin në këmbë”, përfundon Dajaku.