Nevil Dede e cilëson Enea Jorgjin si gjyqtarin më të dobët në elitën e futbollit shqiptar. Duke folur në “Skaner” ai shpjegoi pse e shihte ndërkombëtarin si një nga hallkat e dobëta të gjykimit në vendin tonë, teksa insiston se këto probleme i ka shfaqur gjatë gjithë sezonit. Sipas Dedes, nuk duhej që ai të lihej të caktonte fatin e këtij sezoni.
“Po të shohësh statistikat e ndeshjes, janë të barabarta, Partizani dominon diku e diku Vllaznia. Kur ndeshja ndahet nga një episod e jo nga aftësitë e skuadrave, gjithçka vihet në diskutim, e mbi të gjitha nuk mund të thuash të vërtetën se në futboll gjithçka është subjektive. Më bëri përshtypje hezitimi i Jorgjit, se ne nuk kemi VAR. Për sa kohë nuk e kemi, për çfarë mendohet? Nëse zgjat për një kohë të gjatë, të mendojë e fantazojë, kjo është histori tjetër.
Nuk është lajm i mirë që ka histori të tilla. E kam thënë me kohë që është kampionat i frikës dhe pikë pas pike, skuadrat po dalin kampione duke barazuar dhe diferencën do e bëjnë arbitrat. Po të merret se kush është favorizuar dhe penalizuar, do të dalë pastaj një rezultatante e drejtë.
Mendoj se në këtë ndeshje ka edhe raste të tjera që është penalizuar Partizani. Më vjen keq që i ndodh Enea Jorgjit për një arsye, se është i FIFA-s. Kam qenë pjesë e këtij kampionati dhe i kam vuajtur disa gjëra në kurriz, por kam parimet që kur jam trajner nuk flas kurrë. Por më vjen keq se për një minutë e gjysmë për çfarë e harxhoi se nuk kishte ku ta shihte dhe më bën të bindëm që nuk është penallti.
Ka raste në të kaluarën. Është Enea Jorgji në Vllaznia-Tirana 3-2 dhe pastaj është prapë në Tirana-Vllaznia 1-1 dhe ka raste që ka gabuar. A e meritonte Jorgji të jepte verdiktin e drejtë të këtij sezoni me formën në këtë sezon? Unë nuk do të paragjykoja nëse vërshëllente në çast, por me kohën që ka harxhuar, nuk ia jep askush të drejtën, se nuk ka VAR. Për mua ai ka abuzuar dhe është ndër më të dobëtit sa i përket formës”, deklaroi Dede. /vipsport/