Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme se futbolli nuk do të ketë asnjë ndihmesë nga ana e qeverisë në këtë situatë të vështirë që ka kapluar botën për shkak të virusit Covid 19. Ai theksoi se drejtuesit e klubeve deklarojnë rroga të rrema, duke i barazuar me fasonet.

“Klubet e futbollit nuk kanë se çfarë i kërkojnë qeverisë dhe arkës së shtetit. Klubet e futbollit deklarojnë paga të rreme sikur janë kompani fasone. Klubet e futbollit le të shikojnë se çfarë bëjnë klubet e futbollit në vende të tjera dhe t’i adaptohen kësaj lufte.

Me gjithë respektin që kam për ta, por mendoj që nuk është koha për të ndihmuar klubet. Duke qenë se kanë deklaruar paga të rreme le të mos ankohen se nuk ka pikë lezeti”, u shpreh kryeministri.

Sigurisht në radhë të parë, ajo që të vjen në mendje është: Si ka mundësi që kryeministri është në dijeni të deklarimeve të rreme dhe nuk merr asnjë lloj mase? Jo në këtë periudhë “lufte” por para saj. Akuza e bërë nga i pari i qeverisë është publike dhe shkon drejtpërdrejtë për të gjithë klubet e kampionatit shqiptar.

Ndoshta këtë radhë, kryeministri ka “harruar” se drejtor klubi në një nga skuadrat historike në vend është vëllai i tij, Olsi Rama. Duke i përfshirë të gjithë në një “torbë” dashur pa dashur, edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, akuzohet se nuk deklaron rrogat reale të futbollistëve.

Si është e mundur që instancat përkatëse nuk kanë marrë asnjë masë për sa kohë kryeministri qenka në dijeni për rrogat fiktive? Si ka mundësi që në asnjë moment, veç Erion Braçes, askush nga kabineti qeveritar s’e ka prekur asnjëherë këtë temë? Ndoshta një përgjigje për këtë e kanë vetëm vetë ata, politikanët.

Sot, publikisht Edi Rama akuzoi vëllain e tij, drejtorin e Partizanit Olsi Ramën që nuk deklaron rrogat e sakta të lojtarëve që përbëjnë organikën e skuadrës së kuqe. /Newsport/