Alessandro Del Piero, i intervistuar nga kanalet e FIFA-s, foli për Botërorin e Klubeve dhe për shanset e Juventusit të tij kundër Real Madridit, në 1/8 finale: “Ju e dini që zemra ime është bardhezi dhe do të mbetet e tillë përgjithmonë. Shpresoj të gaboj, por për mua Real Madridi do të kalojë më tej. Kundër Fluminense, mendoj se Interi do të kalojë.

Pastaj është Manchester City kundër Al Hilal, që do të jetë një betejë, kjo është e sigurt. Besoj, megjithatë, që City do të arrijë në çerekfinale. Sa i përket finales, mendoj se do të jenë kampionët e Europës, PSG-ja, ndërsa nga ana tjetër Manchester City. Fituesi përfundimtar do të jetë… Juventusi! Besoj se nuk mund të ndodhë. Kjo është ëndrra ime, por për mua do të triumfojë PSG”.

Duke folur për skuadrën e zemrës së tij, ish-kampioni bardhezi shtoi: “A mund të arrijë Juve deri në fund? Do të kishte shumë rëndësi, duke ardhur nga një sezon jo i jashtëzakonshëm dhe me trajnerin që ka ndryshuar, një gjë shumë e pazakontë për klubin.

Të luash kështu është diçka pozitive, kalimi i grupit ishte shumë i rëndësishëm. Edhe mënyra si e bënë këtë kishte rëndësi. Duket sikur ka një energji të re në fushë dhe lojtarët po bëjnë mirë, duke përjashtuar ndeshjen e fundit, natyrisht. Kam qenë tifoz, lojtar dhe tani jam ende tifoz, ndaj shpresoj më të mirën për skuadrën time”.

Del Piero shtoi më pas një koment për atmosferën e kësaj gare të re: “Pasioni që tifozët kanë për klubin e tyre është i pabesueshëm. Është shumë bukur, bën pjesë në lojë. Themi gjithmonë që konkurrojmë për të fituar, për të ndjekur fitoren dhe për t’u bërë më të mirë, por e bëjmë edhe për t’i ndarë këto momente me njerëzit, me tifozët tanë dhe gjithë të tjerët.

Mendoj se shumë njerëz e kanë parë këtë, çfarë do të thotë të luash për disa skuadra, me pasionin që ndahet mes lojtarëve dhe tifozëve. Është fantastike të shohësh këto ngjyra, këto kore, këtë atmosferë të bukur”./telesport/