Kjo është përvoja e dytë në kampionatin shqiptar pas asaj të para pak viteve me Kamzën, por kuptohet që këtë herë për shqiptarin e Maqedonisë së Veriut Demir Imeri, sezoni aktual nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër dhe për shumë arsye.
Sulmuesi i kuqebluve me Vllazninë e ka bërë atë të jetë i lumtur dhe kuptohet që edhe ai ia ka shpërblyer skuadrës me lojën, golat dhe asistet e tij. Imeri ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” ku është shprehur:
Kam qenë në 10 klube në karrierën time si futbollist, por jam i surprizuar me tifozët shkodranë. E them sinqerisht sepse na kanë bërë edhe më shumë për vete. Kur i shohim tifozët se sa vuajnë dhe sa e ndjejnë këtë skuadër, na bëjnë edhe ne të japin maksimumin në fushën e lojës.
Ne në fushë nuk luajmë vetëm për veten, por luajmë edhe për Shkodrën, luajmë për familjet tona, për të gjithë. Kuptohet që tashmë të gjithë duan titullin kampion, por ajo është një fjalë shumë e madhe.
Por jemi në rrugë të mirë, kemi forcën e grupit dhe për momentin kemi besim maksimal edhe tek vetja, edhe tek grupi, punojmë në mënyrë fantastike, por jemi afër gjysmës së rrugës. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Dëgjoj shumë fjalën eufori, por nuk e kuptoj shumë pse duhet ta përmendin atë kur end enuk kemi bërë gjysmën e rrugës.
Ne jemi të fokusuar maksimalisht tek ndeshja e rradhës, ajo ndaj Bylisit. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, e kemi parasysh edhe terrenin ku do të luajmë, por ne do shkojmë për të dhënë më të mirën, ashtu si në këto 14 ndeshjet e kaluara dhe besoj se do të dalim me tre pikë edhe nga Ballshi”- ka thënë Demir Imeri./SHKODRA-SPORT.COM/