Ditën e nesërme Orges Shehi nis misionin e tij për të kthyer Kukësin në vete dhe për të rihapur garën për titullin kampion. Verilindorët luajnë në stadiumin “Elbasan Arena” kundër Vllaznisë, duke filluar nga ora 17:00. Ndeshjet e fundit kanë lënë pasoja te skuadra, duke pësuar disa ndëshkime me kartonë dhe probleme fizike.
Nesër është e sigurt se në dispozicion të Shehit nuk do të jenë kapiteni Besar Musolli, Eduart Rroca dhe Valon Et’hemi. Dy të fundit kanë plotësuar numrin 4 të kartonëve në ndeshjen e kaluar me Teutën dhe Shehi do të jetë i detyruar ta formojë formacionin pa ata.
Musolli ka dëmtime në fytyrë dhe në kokë, pas një përplasje në ndeshjen e shkuar dhe është konfirmuar se nuk do të zbresë në fushë ndaj Vllaznisë.
Një debutim me shumë probleme ky për Shehin, që ka në dispozicion një skuadër jo të plotë dhe do të jetë i detyruar të bëjë disa modifikime. Një tjetër “hall” i madh për trajnerin është edhe gjendja fizike e Kristal Abazajt.
Sulmuesi ka shfaqur probleme muskulore dhe i është nënshtruar një terapie për të ardhur sa më shpejt në kushtet e duhura fizike. Prezenca e tij në fushën e blertë do të jetë në dyshim deri pak orë para ndeshjes. /vipsport/