Mendime pozitive për Vllazninë e sivjetme janë të shumta dhe po ashtu edhe vlerësimet për punën që stafi po bën. Pavarësisht se skuadra ka patur oshilacione në momente të caktuara, opinionet janë përgjithësisht pozitive.

Një gjë të tillë ka shfaqur edhe një emër i njohur, ish- arbitri i FIFA-s Astrit Dervishi i cili ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1 Channel dhe duke folur në lidhje me Vllazninë e sivjetme është shprehur:

“Mendoj se trajneri dhe administratori kanë një meritë për këtë Vllazni. është një skuadër krejt ndryshe nga ajo e viteve të fundit kur kemi ndenjur të gjithë me zemër në dorë.

Tek Vllaznia e sivjetme shoh një grintë, shoh një dëshirë për të luajtur deri në minutën e fundit. Pastaj, unë nuk mendoj se janë bërë gjetjet më të mira në merkato, sepse për t’i marrë ato duhen shumë lekë. Këto gjetje që janë aktualisht, mendoj se po i merret maksimumi nga ana e trajnerit.

Kjo ndodhi edhe në ndeshjen ndaj Tiranës, ku avantazhet ishin në favorin e Vllaznisë, pavarësisht se trajneri këtë herë nuk ishte në pankinë, por skuadra u drejtua mjaft mirë nga Osja, drejt një barazimi që në fund të fundit është vlerë.

Tani Vllaznia duhet të shohë më shumë pikët që i interesojnë shumë sesa lojërat e bukura. Jam i bindur se skuadra do të bëjë mirë edhe në vazhdim”
© shkodrasport.com