Pavarësisht humbjes ndaj Tiranës, trajneri i Dinamo City, Luigi Di Biagio deklaroi se është i kënaqur me atë që skuadra e tij tregoi në fund.

Për MCN TV, Di Biagio, u shpreh se rezultati nuk lë shije të mirë, skuadra luftoi dhe tregoi guxim.I pyetur nëse mund ta bënte skuadrën që të menaxhonte barazimin, tekniku italian tha se synoi që të merrte fitoren.

“Kemi bërë një ndeshje të mirë, çunat kanë bërë një ndeshje të mirë. Kemi shumë gjëra për të përmirësuar, por mos harrojmë se është ndeshja jonë e parë zyrtare. Kemi luajtur përballë një skuadre, që arriti në pikë të barabarta me Partizanin e vendit të parë. Nuk mund të mos jem i kënaqur për këtë ndeshje, pavarësisht rezultatit.

Këtu është vendi për të bërë dy diskutime. Për rezultatin nuk mund të jem i kënaqur. Sa i takon ndeshjes dhe lojës, jam i kënaqur, sepse luftuam dhe guxuam. Djemtë donin të fitonin ndeshjen.Bëri mirë Allmuça dhe Andoni. E largova Krasniqin, sepse kishte probleme. Jam i kënaqur me paraqitjen e tyre.

Jam i kënaqur me këta lojtarë, klubi po punon dhe nuk e di çfarë mund të ndodhë gjatë këtyre ditëve në merkato. Mentaliteti duhet të jetë ky. Mos harrojmë se përballë kishim një kundërshtar si Tirana.

Duhet dhe mund të përmirësohemi, por synova të merrnim fitoren. Ka vend për përmirësim. I kemi parë golat që pësuam, ishin dy me penallti dhe një me aksion.