Në Shkodër të gjithë sytë dhe veshët i kanë tek Vllaznia për ndeshjen e sotme ndaj Partizanit. Komentatori sportiv, Edmond Dibra, shprehet se te shkodranët është zbehur së tepërmi loja e bukur, ndërsa theksoi se për të ka qenë çudi e madhe largimi i trajnerit Thomas Brdariç.
Dibra flet edhe për ndeshjen e sotme Vllaznia-Partizani, teksa thotë se kjo ndeshje është për të arritur objektivat e drejtuesve, por jo për publikun shkodran, pasi ata duan titullin, që mungon prej 20 vitesh në Shkodër.
“Ta lëmë mënjanë sezonin që lamë pas, kur Vllaznia u privatizua dhe për hir të së vërtetës, duhet thënë pas 13 vitesh, Vllaznia erdhi aty ku e do çdo spektator shkodran. U tha se do të ndërtohej një Vllazni akoma më e madhe, akoma më e fuqishme dhe do të jemi pretendentë tani që na iku titulli kampion vetëm për një gol, Vllaznia do të jetë pretendente kryesore për titullin kampion sezonin aktual. Çfarë ndodhi te Vllaznia?
Më shqetëson fakti, përveç rezultateve shumë negative, që Vllaznia ka pësuar. Po bëhen 6 ndeshje që Vllaznia nuk po fiton.
Më bën përshtypje fakti, që është zbehur loja. Eshtë zbehur ajo lojë e bukur, që Vllaznia fitoi gjithë zemrat e gjithë Shqipërisë.
Bëmë gjithë studiot në Tiranë, bëmë gjithë specialistët e futbollit, të flasin vetëm për lojën e Vllaznisë dhe kjo mua më shqetëson më shumë. Për mua, është një çudi shumë e madhe largimi i trajnerit Thomas Brdariç dhe ndërrimi i një trajneri pritet që të vijnë risi të reja.
Eshtë e njëjta skemë, është e njëjta lojë, por kemi edhe dismotivimin e lojtarëve dhe kjo është shumë e çuditshme. Në ndeshjet e fundit, kemi parë një lojë mediokër, një lojë pa fantazi, një lojë pa ide dhe lojtarët e ashtuquajtur, që kanë ardhur me shumë bujë te Vllaznia, për ta çuar emrin e Vllaznisë, aty ku e meriton, shoh një dismotivim komplet të skuadrës.
Pritet ndeshja e madhe dhe përflitet në gjithë Shkodër ndeshja e madhe Vllaznia-Partizani, kualifikimi në finale. Ky është një kualifikim për drejtuesit, për lojtarët, për trajnerin dhe për CV e tyre, por jo për publikun shkodran.
Publiku shkodran është ngopur me fjalë, por duhen vepra. Kanë 20 vjet që titulli nuk vjen në Shkodër dhe sikur Vllaznia të fitojë Kupën, është e sigurtë se ai stadium do të rrijë prapë bosh.
Kupën e morëm vjet. Duhet të japim edhe nota pozitive në fund, normale nota pozitive, se jemi në prag të një ndeshje të madhe, që pretendohet vetëm nëpërmjet kësaj ndeshje që Vllaznia mund të hyjë në Kupat e Europës, por mos të harrojmë se ke Kastriotin 6 pikë larg.
Vllaznia, po të ketë këtë motivim, po të ketë këtë grintë, po të ketë këtë lojë, Vllaznia edhe 7 javë, 8 javë kampionat, Vllaznia kthen kokën mbrapa, se do të shkojë në play-off. Të mos i harrojmë këto.
Pritet ndeshja e madhe me Partizanin, por e thashë edhe njëherë kjo është për drejtuesit, të kenë bazën financiare për të ndërtuar sezonin tjetër skuadrën e madhe, por jo për publikun, të jenë të gjithë të sigurtë. Rri me miq, rri me shokë, rri me të gjithë, absolutisht asnjë shkodran nuk e ngroh Kupa.
Objektivi, që në fillim ishte titulli kampion dhe gjithë tifozët e mbështetën fuqishëm. E mbështetën fuqishëm dhe nuk harrohet përformanca në Tiranë përballë Tiranës, përballë Partizanit, megjithëse nuk fituam, djemtë janë përkrahur, janë duartrokitur, për shpirtin, për grintën që shfaqën dhe jo vetëm lojtarët, por edhe publiku, ishte flakë.
Unë do ta theksoj prapë edhe njëherë, jam i këtij mendimi, të më shajë kush të dojë, tifozat nuk janë prapë të kënaqur me fitimin e Kupës. 20 vite pa marrë titull kampion dhe akoma Vllaznia nuk është në rrugën e duhur për të ndërtuar një skuadër për titull kampion.
Mos të harrojmë, se në fund të sezonit, 13 lojtarëve u mbaron kontrata. Çfarë bëhet me të ardhmen?
Ato zëvëndësime që ka bërë trajneri Brdariç, po ato zëvëndësime janë prapë. Kërkohet pjesëmarrja në Kupat e Europës.
Ku do shkojë Vllaznia në Kupat e Europës? Ku do të shkojë Vllaznia? Prandaj, them që nuk ngroh absolutisht Kupa e Shqipërisë. Pra, te Vllaznia me çfarë planit është duke u punuar? Ku do të shkojë Vllaznia me këtë skuadër në Kupat e Europës?
Pra, kjo është vetëm të kënaqen drejtuesit, të kënaqen lojtarët, të rrisin CV e tyre dhe të shiten, të ikin në një skuadër tjetër. Do të largohen lojtarët në fund të sezonit.
I mbaron kontrata 13 lojtarëve. Ata mbushin CV e vet, mbushin xhepat e tyre dhe gjithmonë në kurriz të Vllaznisë.

Publiku shkodran dhe Shkodra kërkon titullin kampion dhe kjo më shqetëson e ardhmja dhe loja skandaloze që Vllaznia bën që prej katër-pesë ndeshjesh. Tifozëria shkodrane është shumë e ndjeshme karshi fanellës kuqeblu dhe çdo tifoz shkodran është edhe specialist futbolli.
E kupton futbollin. Ata janë pranë Vllaznisë, edhe kur Vllaznia humbet, edhe kur Vllaznia barazon, por kur luan bukur.
Megjithatë, kur Vllaznia nuk luan bukur, nuk mund të tallet askush me ndjenjat e asnjë tifozi, sepse ajo tifozëri, është pranë saj, në të mirë dhe në të keq. Ka qenë vazhdimisht në vite.
Po bëhet edhe një fazë që kapiteni Gurishta nuk është dhe kjo ka ndikuar në ecurinë e ekipit, në frymën që përcjell ai. Shpresojmë shumë që ndaj Partizanit, të jetë në formën optimale, me shpirtin dhe grintën e tij, që ka gjithmonë për çdo ndeshje dhe t’i motivojë djemtë në fushë ndaj Partizanit, që të paktën Vllaznia të arrijë njërin prej objektivave sezonal”,-tha gjatë prononcimit të tij, komentatori sportiv, Edmond Dibra.
Maringlen ZHIVANI