✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të ndeshjes së javës së 14-të kundër Vorës, e cila do luhet në Shkodër për Vllazninë pavarësisht se ishte parashikuar në transfertë, kuqeblutë do kërkojnë medoemos kthimin tek fitorja.
Kjo pasi vetëm 3 pikët vlejnë në këto çaste për kuqeblutë, të cilët do kërkojnë të dalin nga kriza dhe rikthehen në krye të kampionatit. Por, përpara këtij dueli, trajneri Martini duhej t’i bëjë llogaritë me disa mungesa si shkak i pezullimeve dhe dëmtimeve para ndeshjes me Vorën.
Kështu për shkodranin ka disa dilema përsa i përket formacionit, sidomos në repartin e mesfushës. Në portë i paprekshëm momentalisht duket se është Pohls, i cili ka qenë një garanci në javët e fundit për Vllazninë.
Në mbrojtje po ashtu nuk duket se do ketë ndonjë ndryshim, pasi treshja Gurishta-Gjini-Bajrami pritet t’a nisin nga minuta e parë kundër Vorës. Në mesfushë do rikthehet titullar Krymi, pasi mungoi për shkak pezullimi ndaj Teutës, teksa një rikthim është edhe Sala, që duket se rivalizon me Qaton për një fanellë titullari.
Përveç Kallakut dhe Males që vështirë se mund ta nisin nga fillimi ndaj Vorës, një mungesë është edhe Kastrati, i pezulluar për shkak kartonësh. Kështu një kandidat potencial për zëvendësuesin e kosovarit është Tafili. E ndërsa repartin pritet t’a kompletojnë Murataj dhe Jago majtas.
Në sulm do jetë si gjithmonë Balaj, i cili do udhëheqë ofensivën, me sulmuesin kryesor të skuadrës që si partner në krah pritet të ketë Bismark. Pavarësisht se edhe për ganezin gjithçka do vendoset në momentet e fundit para sfidës, për arsye të gjendjes së tij fizike. Ku tek Vllaznia nuk duan të rrezikojnë me një aktivizim para kohe të afrikanit.















