Kukësi do të përballet sot me Kastriotin në një ndeshje ku do të kërkojë rikthimin te fitorja pas tri barazimesh radhazi, të cilat e kanë vënë në “siklet” për vendin e tretë, sepse e kanë rrezikuar jo pak.

Trajneri Longo ka dhënë dje direktivat e fundit para kësaj sfide, duke e pasur të qartë se përballë nuk ka skuadrën e tri ndeshjeve të kaluara ku i mori pikët e plota.

Situata për momentin në kampin verilindor paraqitet e qetë dhe optimiste, pavarësisht mungesave si ajo e kapitenit Taipi për kartonë dhe e portierit Tafas me sulmuesin Shkurtaj për arsye dëmtimi.

Gjithsesi, masat janë marrë me kontigjentin që Longo ka aktualisht në dispozicion, i cili pritet të hedhë në fushë lojtarët më në formë që ka aktualisht.

Mungesa e një lojtari kyç si Taipi, në njëfarë mënyre ka detyruar italianin të bëjë lëvizje dhe spostime në formacion, në mënyrë që të rikuperojë sa të mundet dhe të mos prishë stilin e tij.
Milunoviç ka karakteristikat më të përafërta teknike me të, ndaj “regjia” pritet t’i besohet serbit.

GOLASHËNUESI NË STOL – Ashtu si ndaj Tiranës, Longo pritet të lërë në stol golashënuesin e skuadrës, Edi Bashën.

Gjatë seancave të fundit stërvitore, autori i nëntë golave këtë sezon është rreshtuar në ekipin e rezervave dhe gjasat janë që kroati ta nisë nga stoli, edhe pse deri sot para ndeshjes gjithçka mund të ndodhë.

Në fakt, kjo mendohet si një lëvizje e italianit për ta pasur të freskët në pjesën e dytë, nëse skuadra nuk do të ketë rezultatin në favor në pjesën e parë, në mënyrë që të përfitojë sa më shumë nga freskia e 28- vjeçarit.

Gjithsesi, deri në startin e ndeshjes mbetet për t’u parë nëse italiani do t’i qëndrojë idesë fillestare apo do të ndryshojë mendje, diçka që e ka bërë shpesh gjatë këtij sezoni.

KRAHU I MAJTË – Kukësi ka në përbërjen e vet dy prej lojtarëve më cilësorë në krahun e majtë, Ndrecën dhe Mustën.

Për këtë arsye, Longo shpreson shumë që shpërthimet e kësaj dysheje të bëjnë diferencën dhe t’i sjellë rezultatin në këtë ndeshje.

Musta pritet që të vazhdojë të luajë në të majtë të sulmit, i mbështetur nga Ndreca në prapavijë. Mbetet për t’u parë nëse çelësi i suksesit do të vijë nga krahu i majtë ndaj Kastriotit apo jo.