Trajneri i Erzenit, Xhevahir Kapllani, foli pas humbjes 3-1 që skuadra e tij pësoi në transfertë ndaj Vllaznisë. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “Oversport”, tekniku durrsak ndër të tjera u shpreh:
“Problemi jonë është se ne vazhdojmë të pësojmë gola të evitueshëm. Po t’i bësh një kronologji, duhet të bënim më tepër. E filluam keq lojën, e dorëzonim topin shumë shpejt, nuk kishim besim për ta mbajtur topin dhe për të filluar manovër ofensive. Ndihet shumë mungesa e Krasniqit dhe Sadikit. Nuk e di kur do të na rikthehen përsëri. Vllaznia e meritoi fitoren, kishte një marsh më tepër, ndoshta nga ndryshimi i trajnerit. U futëm në loje te 2-1, mund të bënim më tepër, ishte e njëjta tablo si në ndeshjen e kaluar ndaj Tiranës.
Mendoj që 2 linjat tona duhet të ishin më të kujdesshëm. Por gjithsesi golat na erdhën nga qendra. Marku goditi topin pa asnjë problem. Edhe goli i dytë i Latifit, goditi portën lirshëm fare. Nuk na kanë ardhur golat nga krahët.
Kjo ndeshje iku, duhet të shikojmë ndeshjet e ardhshme. Sa vjen dhe fillon numërimi mbrapsh. Duhet të merremi me ndeshjet e radhës, nuk na lejohet asnjë lloj gabimi.
Ne pak a shumë i kishim marrë masat, po luanim me 2 mesfushorë ofensivë para në mbështetje të Nonatos. Mesfusha e Vllaznisë ka lojtarë cilësore, menduam që Amiri dhe Alani të ishin në mbështetje të Nonatos. Do e analizojmë ndeshjen, futbolli kështu është. Nuk na lejohen më gabime”, u shpreh Kapllani.