Kalimi i tureve në Kupat e Europës është një nga kushtet për trajnerin e Kukësit, Ernest Gjoka, i cili pas humbjes 3-0 në Hungari rrezikon shumë.
Presidenti Gjici nuk është se ka folur për shkarkim të tij, por mesazhi i tij është i qartë: Kukësi duhet të përmbysë gjithçka në ndeshjen e kthimit, në të kundërt do të ketë pasoja dhe kuptohet që i rrezikuari i parë është Gjoka.
“E pabesueshme çfarë kanë humbur lojtarët e mi sot. Gjithë ato raste në pjesën e parë dhe nuk shënojnë dot një gol. E pabesueshme. Jam pa fjalë”, thotë Gjici për “Panorama Sport”. Kreu i klubit kuksian e ka të vështirë të kapërdijë gola si ata të pjesës së dytë.
“Nuk mundet që të pësohen gola të tillë amatoreskë. Ndiej keqardhje të madhe sepse zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë dhe në të dytën u ndëshkuan nga disa gafa amatoreske. Jam thellësisht i zhgënjyer dhe i revoltuar njëkohësisht. Nuk mundet ta pranoj një disfatë si kjo”, ka vazhduar më tej Gjici.
PREMIO 100 MIJË EURO
Kukësi është ndër ekipet e pakta shqiptare që ka premio “standarde” për çdo kualifikim. Gjici sistematikisht ka vënë shpërblim prej 100 mijë eurosh për skuadrën në çdo tur që ajo kalonte.
Edhe këtë herë, kjo traditë te klubi i Kukësit nuk është prishur. “Haram e paçin nëse nuk kalojnë. Nuk mund të sillen kështu. Kam vënë shpërblim 100 mijë euro, çfarë mund të bëj më tepër. Debreceni nuk ishte ekip i pakalueshëm. Mjafton që të bënin një gol aty dhe në Shqipëri të mbanim një barazim”, ka përfunduar kreu i klubit të Kukësit.