HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDitë historike për Laçin, kurbinasit mundin Kastriotin dhe janë nënkampionë në Superiore!

Ditë historike për Laçin, kurbinasit mundin Kastriotin dhe janë nënkampionë në Superiore!

Laçi siguron pjesëmarrjen në Conference League edicionin e ardhshëm, pasi mundi me përmbysje Kastriotin me rezultatin 4-1 në takimin e kësaj të diele. Skuadra e Shpëtim Duros siguron matematikisht vendin e dytë në renditjen e përgjithshme.

Pozicion historik për skuadrën kurbinase, që asnjëherë më parë nuk ka qenë forcë e dytë e kampionatit. Kastrioti në anën tjetër edhe pse shënoi i pari me Ajazin, nuk arriti që të marrë një rezultat pozitiv, teksa pësoi humbjen e dytë radhazi, duke mbetur në vendin e gjashtë në kuotën e 43 pikëve.

Pjesa e parë e kësaj përballjeje u dominua thuajse e gjitha nga vendasit, të cilët patën raste të njëpasnjëshme megjithatë golin e parë e realizuan krutanët me Ajazin në minutën e 38-të, i cili shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Ky avantazh zgjati vetëm dy minuta,pas në të 40-ën Adeleke barazoi. Ndërsa vetëm pas 3 minutave të tjerë Laçi përmbysi rezultatin me Julian Shehun, që padyshim ishte në super formë në këtë sfidë.

Në fraksionin e dytë kurbinasit ishin edhe më të pandalshëm, pasi kërcënuan thuajse në çdo minutë portën e Salit dhe ia dolën që të realizonin “poker” me golin e Dean Zarubicës, i cili shënoi në minutën e 89’. Megjithatë nëse nuk do të ishte për portierin Sali rezultati i kësaj përballje do të ishte shumë më i thellë.

Pas javës së 33-të të Abissnet Superiore Laçi “blindon” vendin e dytë në renditje me 60 pikë, 11 më shumë se Partizani i vendit të tretë, ndërkohë kanë mbetur edhe tre javë nga mbyllja e sezonit, teksa Kastriotit qëndron në vendin e gjashtë me 43 pikë të grumbulluara, duke mos qenë ende i sigurt për mbijetesën.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments