Drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, duket optimist për të ardhmen e kuqebluve pasi beson se në klub është gjetur burimi i problemit që ktheu shkodranët nga një ekip i pandalshëm në një skuadër që tashmë rrezikon kreun.
Në “Rubrika Sportive” ai insistoi se kjo nuk kishte të bënte aspak me çështjen e ankandit të klubit apo rrogave të futbollistëve, siç ishte aluduar në ditët e fundit.
“Nuk kemi festuar asgjë se kemi hallet tona e pasi t’i zgjidhim do të festojmë. Nuk më jep kënaqësi kur gabojnë të tjerët, por kur fiton ekipi unë. Nuk besoj se do të ketë nesër diçka kryesore në mendjen e lojtarëve si ka luajtur Teuta e Partizani. Do të jemi të përqendruar në punën tonë e do të shohim ndeshjen me Kukësin.
Ndaj Teutës kemi luajtur pjesën e dytë shumë mirë. Shpresojmë që të vazhdojmë në ndeshjen kundër Kukësit. Kemi punuar psikologjikisht me lojtarët se ata janë të njëjtët, trajneri, stafi, çdo gjë është si përpara. Kemi punuar psikolgjikisht me ta dhe nesër të shohim atë që kemi bërë të gjithë këto javë.
Mungesa e konferencës për shtyp? Klubi ka menduar se do të kemi më shumë qetësi që të mos dalim shumë në media e të fillojmë të flasim. Javët e fundit kemi folur shumë me mediat.
Unë isha te ju në studio, nuk besoj se është diçka që e kemi shtyrë ne nga stafi, por më shumë ka ardhur nga njerëzit e tifozët. Çdo pyetje për Vllazninë ishte a dilni dot kampion? Patjetër edhe në kokën e lojtarit, kur dëgjon këto pyetje i hyn në kokë. Nga dita e parë e kam thënë se çfarë është objektivi i Vllaznisë.
Shpresoj që të ndryshojmë këtë ritëm negativ. Absolutisht besojmë se mund t’ia dalim. Është atmosferë e çuditshme, po presim kthesën. Menduam se do ndodhte në Durrës, tani luajmë në stadiumin tonë, kushtet janë e shpresojmë të dalim nga kjo situatë.
Ankandi i klubit? Çdo lojtar ka kontrata të rregullta me klubin dhe nëse vjen një pronar i ri, nuk ka asgjë kundër skuadrës. Çdo lojtar ka kontratë, kushdo që e blen do ketë njëlloj lojtarët e stafin. Nuk besoj se është arsyeja pse në 6 javët e fundit nuk kemi qenë në formë.
Të gjithë ekipet janë afër, nuk kemi luksin e para shumë javëve, çdo ndeshje deri në fund të kampionatit do të jetë zjarr. Ne po shohim vetëm punën tonë, nëse ne shkojmë mirë, do të çojmë ekipin në shinat ku ishim përpara. Do të provojmë çdo gjë për të fituar ndeshjen.
Problemet nga rrogat? Absolutisht jo, sot kemi folur se ishim në takim me donatorin. Asnjëherë nuk ka përmendur ndonjë lojtar probleme me rrogat, nuk kam qejf të përmend alibi. Po punojmë çdo ditë që të nxjerrim ekipin nga situata.
Ne ishim përgatitur që do të vinte një ditë si sot, ishim të sigurt se në dy fazat e para kemi marrë maksimumin nga ekipi dhe ishim të sigurt që do vijë një ditë kur do kemi probleme. Brenda stafit ne mendojmë se e kemi gjetur problemin, sa më shpejt ta zgjidhim jam i sigurt se do të jemi ku ishim para 6 javësh”, tha Djarmati. /vipsport/