Prej vitesh jeton në Shqipëri, por është marrë vazhdimisht me futboll dhe e di mirë se si funksionojnë gjërat këtu.
Kroati Matko Djarmati ka marrë përsipër një detyrë të vështirë në krye të Vllaznisë, por po e bën me shumë dëshirë.
Ka dëgjuar të flitet për presione e kërcënime ndaj drejtuesve, por vetë ai nuk ka hasur as më të voglin problem dhe këtë e ka pranuar edhe në një studio televizive.
“Para se të shkoja në Shkodër kam dëgjuar për shumë gjëra dhe shumë probleme, por në këto 3 muaj e më tepër që unë punoj tek Vllaznia, nuk kam konstatuar asnjë gjë negative.
Ka një bashkëpunim të mirë të sponsorit me Bashkinë dhe na kanë plotësuar të gjitha kërkesat për të punuar të qetë. Nisja duket e mbarë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.
Kemi krijuar një ekip simpatik besoj. Mosha mesatare e tij është 24 vjeç dhe pika më e fortë e Vllaznisë së sivjetme besoj se është grupi. Besoj se do të bëjmë gjëra të mira”- ka thënë drejtori sportiv i klubit shkodran./SHKODRA-SPORT.COM/