Pasditen e djeshme Vllaznia ka luajtur në “Qazim Dervishi” një ndeshje shumë të rëndësishme, atë ndaj Partizanit. Themi e rëndësishme sepse në këtë përballje vlente vetëm fitorja për kuqeblutë. Në rast se nuk ndodhte kështu, atëherë kuqeblutë duhej t’i thonin lamtumirë Superligës që këtë javë.
Në këto rrethana, sfida ka patur brenda vetes shumë tension e drithërima për pjestarët e ekipit shkodran. Kuptohet që më shumë se për këdo tjetër, ajo është përjetuar me shumë tension nga presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi.
Këtë e tregon më së miri edhe një fakt tjetër. Ai nuk ka preferuar ta shohë ndeshjen nga tribuna “VIP” e pallatit të sportit, aty ku ka qëndruar edhe presidenti i ekipit kundërshtar, i mirënjohuri Agim Fagu. Në tribunë nga Vllaznia ka qenë drejtori teknik Altin Halili sepse presidenti Xhaferi kishte zgjedhur vend tjetër për të parë ndeshjen.
Numri 1 i basketbollit shkodran ka preferuar ta shohë takimin në rradhët e tifozëve, por edhe kishte bërë një zgjedhje të veçantë teksa bashkë me familjen e tij ka zënë vend ngjitur me vendin ku qëndronte pankina e Vllaznisë.
Ka dashur kështu, për të qenë më pranë skuadrës, për t’i mbështetur më shumë sepse vetëm kështu basketbollistët mund të jepnin më të mirën e tyre.
Dhe presidenti Xhaferi ka qenë më në tension se të gjithë ngaqë investimi i bërë prej tij ende nuk ka sjellë rezultatet e duhura sepse Vllaznia është ende e rrezikuar. Prandaj dhe mundohet t’i qëndrojë sa më afër ekipit sepse tashmë është shndërruar edhe në tifozin numër 1 të tij.
© shkodrasport.com