Vllaznia i ka nisur me vrull përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Trajneri Jonuz e kishte paralajmëruar rritjen e ngarkesave stërvitore nga dita në ditë dhe kështu ka ndodhur. Madje, në ditët e tretë të përgatitjeve, stafi teknik ka aplikuar tre seanca.

E para është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” mëngjesin e së enjtes, më pas pak minuta pushim dhe futbollistët janë spostuar për në një nga palestrat e qytetit ku kanë qëndruar edhe për disa minuta të tjerë duke bërë ushtrime force.

Më pas, futbollistët janë shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre, për t’u grumbulluar sërish pasdite në stadium për të zhvilluar edhe seancën e tretë stërvitore për këtë ditë. Kuptohet që ngarkesa të tilla kanë filluar të japin edhe shenjat e para të lodhjes tek lojtarët që nuk janë mësuar me të tilla stërvitje ngaqë dy muajt e fundit kanë qenë pushim por trajneri Jonuz duket i kënaqur me gjendjen fizike të tyre sepse duket që kanë zhvilluar stërvitje individuale gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë në fillimin e javës së ardhshme pritet që ekipi të zhvillojë edhe një ndeshje kontrolli. Ende nuk është e qartë nëse do të luhet ndaj ndonjë kundërshtari tjetër apo do të zhvillohet brenda përbrenda ekipit. Stafi teknik dëshiron të shohë dhe të provojë edhe të tjerë lojtarë përveç këtyre 16 futbollistëve që janë aktualisht në stërvitje.

Këta do të vijnë nga ekipi i të rinjve, nga Vllaznia B por edhe nga lojtarët e ekipit të parë të cilëve u ka mbaruar kontrata. Përveç tyre, mund të ketë edhe ndonjë futbollist tjetër që mund të vijë për provë dhe nëse e bindin stafin teknik, më pas do të bëhen pjesë e kësaj skuadre.
www.shkodrasport.com