Tomas Brdariç u largua drejt Gjermanisë men jëherë pasi bisedoi me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës. Sponsori Alban Xhaferi e cilësoi si çështje të mbyllur marrëveshjen edhe për një sezon tjetër me gjermanin, por fakti që për të nuk u bë asnjë prezantim për zgjatjen e kontratës, ashtu siç ndodhi me ndihmësin e tij, Elvis Plori, la hije të forta dyshimi.

Brdariç pati deklaruar se do të takohej edhe një herë me drejtuesit, por në ditën që kjo do të ndodhte, ai u nis drejt Gjermanisë, në një kohë që nga klubi nuk dhanë detaje, edhe pse vetë Xhaferi shkurtimisht ritheksoi se s’ka më çështje rinovimi.

Por çfarë ka ndodhur dhe pse Brdariç nuk e ka firmosur ende kontratën e re? “Klubi duhet të tregohet më profesional, na duhet një ekip më i fortë për të vazhduar në sezonin e ri. Nuk është çështje parash”, theksoi vetë trajneri pasi takoi drejtuesit.

KËRKESA

“Panorama Sport” zbulon se gjermani nuk e ka hedhur firmën në kontratë pikërisht për shkak se nuk është likuiduar nga klubi për sezonin që sapo u mbyll. Mësohet se nuk ka marrë ende dy paga, ndërsa pret edhe një bonus për Kupën e Shqipërisë, që e kishte të parashikuar në kontratë, ashtu si edhe lojtarët.

Bëhet fjalë për një shumë rreth 15 mijë euro që klubi duhet të derdhë në llogarinë e Brdariç. Ky i fundit ua ka bërë të qartë drejtuesve se do të hedhë firmën pikërisht pasi kjo shumë të kalohet në bankë për llogari të tij. Nga ana e tyre, drejtuesit e kanë siguruar se shumë shpejt do të likuidohet.

Kësisoj, pas kthimit në Shkodër dhe nisjes së stërvitjes të hënën, gjithçka do të qartësohet mes palëve. Ditët e fundit trajneri ka komunikuar vazhdimisht me pjesëtarët e stafit teknik dhe drejtorin Djarmati për përgatitjet në prag të debutimit në Ligën e Konferencës.

AKOMODIMI

Burime të besueshme në klubi i treguan gazetës se përpara largimit nga Shkodra, trajneri Brdariç ka kërkuar nga drejtuesit që të shikojnë një tjetër apartament për akomodimin e tij në vazhdimësi. Nga një kat i tërë në një pallat që kishte në dispozicion në qendër të qytetit, tani gjermani ka preferuar të spostohet në një tjetër apartament.

Të dielën trajneri do të ketë një takim të fundit me drejtuesit, për të sqaruar detajet e organizimit në prag të ndeshjeve të korrikut në Europë. Gjasat janë që Vllaznia të kryejë një fazë 2-javore në Serbi, por gjithçka do të saktësohet në ditët në vijim.

Në këtë periudhë përgatitjes, gjermani mësohet se ka kërkuar që skuadra të luajë të paktën 2-3 ndeshje miqësore deri në fillim të korrikut. Të martën Vllaznia mëson kundërshtarin për ndeshjet që do të zhvillohen më datat 8 dhe 15 korrik.