Në Kukës janë duke vijuar normalisht përgatitjet edhe gjatë kësaj periudhe pushimi për shkak të Botërorit. Kjo minifazë përgatitoreje do ta vërë në punë intensive teknikun Enkeleid Dobi, i cili po përpiqet të injektojë idetë e tij te ky Kukës, skuadër e cila deri më tani ka nxjerrë shumë pak nga potenciali që zotëron.

Edhe pse ka disa javë në krye të ekipit, tekniku ende nuk ka gjetur përfundimisht çelësin e suksesit, për aq kohë sa skuadra nuk ka një vazhdimësi në rezultate. Pikërisht këtë gjë synojnë ta nxjerrin në pah në kampin verilindor, ndaj edhe po mundohen që gjatë kësaj periudhe të zhvillojnë sa më shumë sfida miqësore, për të parë te gjithsecili forcën që ka dhe ta vërë në shërbim të skuadrës.

MARRJA E MAKSIMUMIT – Problemi i ekipit në këto 12 ndeshje të para ka qenë marrja e maksimumit të lojtarëve, gjë që ka ndikuar më pas edhe në rezultatet e tyre në fushë, duke qenë shumë larg pritshmërive të fillimsezonit. Kur lojtarët kanë qenë në formën e tyre maksimale, skuadra ka fituar dhe ka bindur në lojë.

Mjafton të thuhen pesë fitoret radhazi në kupë e kampionat, për më tepër pa pësuar asnjë gol, që tregojnë se kur kjo skuadër jep maksimumin, mund të fitojë pa problem.

Me këtë qëllim Dobi po përgatit ekipin për pjesën e mbetur të kampionatit, duke u dhënë besim se nëse lojtarët janë në maksimumin e tyre mund të fitojnë pa problem përballë çdo kundërshtari në vendin tonë. Duke qenë se diferenca me kreun nuk është shumë e madhe, në klub vijojnë të besojnë tek arritja e objektivave, por kjo arrihet vetëm duke i marrë maksimumin lojtarëve në fushën e lojës.

MIQËSORJA – Kukësi do të përballet ditën e sotme në një miqësore me ekipin e Drenicës që militon në futbollin kosovar. Verilindorët vijnë pas dy fitoreve identike 2-1 me ekipet e Kategorisë së Parë, Dinamo dhe Luzi 2008. Dobi ka aktivizuar të gjithë lojtarët që ka pasur në dispozicion dhe të njëjtën gjë do të bëjë edhe në takimin e sotëm. Kjo sfidë është programuar të luhet në “Kukës Arena” në orën 13:00.