sh-mbrojtësi i Vllaznisë, Edmond Doçi, njëkohësisht trajner kampion me ekipet e akademisë kuqeblu, mendon se skuadra duhet të ishte kualifikuar pas dy përballjeve ndaj Linfildit në Ligën e Konferencës. Doçi e shikon problem nisjen e aksioneve nga mbrojtësit e qendrës, ndërsa pret që ekipi të jetë agresiv dhe me lojtarë që vrapojnë shumë. Në intervistën për “Panorama Sport”, trajneri 42-vjeçar e sheh ideale formulën e FSHF-së për ekipin që shpallet kampion.


Edmond, si e vlerësoni paraqitjen e Vllaznisë në Europë?

Normalisht që më vjen keq për moskalimin e turit, sepse ishte për të mirën e klubit, si për financat, e po ashtu edhe për renditjen në arenën ndërkombëtare. Mendoj që në ndeshjen e parë ekipi duhet të kishte bërë më mirë. Nuk duhej ta përgatisnim ndeshjen si ekip inferior. Në këto kushte, rezultati i atij takimi ndikoi shumë.

Loja në ndeshjen e kthimit ishte një sinjal i mirë për të ardhmen?

Ndeshja e kthimit kishte një pasqyrë krejt tjetër. Vllaznia ishte më ngulmuese dhe zotëruam topin, por për mendimin tim shoh pak problem në nisjet e aksioneve, sidomos nga mbrojtësit e qendrës. Aty duhet të gjejnë hapësirat në mes të linjave, që edhe mesfushorëve apo sulmuesve t’ia bëjnë më të lehtë ndërtimin e aksionit për të dalë para portës.

Çfarë prisni nga kjo skuadër në sezonin e ri?

Pres që Vllaznia të jetë një ekip agresiv dhe që vrapon shumë. Këtë bindje më krijon kjo skuadër. Gjithsesi, mendoj që ka nevojë për disa afrime, pasi shikoj që në pozicione të ndryshme, dubluesi i lojtarit të formacionit nuk është në nivelin e duhur.


Është rikthyer Ardit Krymi, si shikoni këtë transferim?

Normalisht që është një luks që të kesh Krymin në skuadër. Më bëhet qejfi që zgjodhi ekipin e zemrës që të vijoj këtu karrierën.


Çfarë duhet të bëjë më shumë trajneri me këtë kontingjent lojtarësh që të jetë në katërshen e parë?

Mendoj që duhet të gjejë lojtarët më në formë për momentin dhe të marrë nga grupi që ka 110% e tyre.


Si e gjykoni formulën e kampionatit për ekipin që shpallet kampion?

Unë e shoh pozitive këtë vendimmarrje. Gjithmonë e kemi pasur problem fundin e kampionatit, sepse kemi mbetur si peshku pa ujë, pa asnjë aleat, kurse kështu mendoj që çdo strukturë do të jetë më e përgjegjshme për ato tri ndeshje. E them këtë, sepse e gjithë vëmendja do të jetë në ato ndeshje të fundit që do të zhvillohen.