Drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, pranon se infektimi i disa lojtarëve me Koronavirus e ka prishur qetësinë në skuadër, por, sipas tij, Vllaznia është kompletuar dhe ndihet gati për kampionatin. Në një prononcim për “SuperSport”, ai komentoi edhe merkaton e bërë.

Si po ju duken javët e para si drejtor sportiv?

Na mungon futbolli dhe shpresoj që edhe ky bojkot të mbarojë sa më shpejt. Ne te Vllaznia kemi edhe pak probleme me Koronavirusin, pasi dy lojtarë janë infektuar dhe na është prishur disi ajo qetësia që kishim. Kemi bërë një punë shumë të mirë me ekipin dhe jam i kënaqur.

Cilët janë të infektuar te Vllaznia?

Kemi Gurishtën, Imamin dhe zëvendëstrajnerin Plori. Gurishtën e presim që të dalë negativ në testin e radhës, pasi iu bënë disa ditë. Të gjithë janë pa simptoma dhe kemi marrë masat e nevojshme për t’i mbajtur në izolim dhe për të shmangur përhapjen.

Bojkoti ju ndihmoi disi në këtë aspekt?

Ne kemi qenë gati për të filluar kampionatin që dy javë përpara dhe kanë qenë klubet e tjera ato që janë favorizuar nga bojkoti. Megjithatë, u vendos kështu për të qenë futbolli më i mirë në të ardhmen, ndaj dhe ne e respektojmë si klub.

I morët të gjithë lojtarët e preferuar në merkato apo keni pengje?

Mund të kishim bërë edhe më mirë, por këtë vit kemi dubluar çdo pozicion, gjë që nuk është bërë sezonet e tjera. Na kanë kritikuar pse kemi sjellë 16 lojtarë, por e kemi bërë këtë për të rritur konkurrencën në skuadër. Kemi ndërruar një pjesë të mirë të ekipit, por kemi 6 lojtarë në formacion krahasuar nga një vit më parë. Për këtë mendoj se kemi bërë një punë të mirë.

Cilët janë objektivat e Vllaznisë?

Tirana, Kukësi, Laçi e Teuta mendojnë se do të dalin kampionë, ndërsa ne do të jemi një kundërshtar shumë i vështirë për të gjitha këto ekipe. Kemi skuadër dhe tifozëri të mirë, besojmë që do të bëjmë mirë.