Vllaznia është në kaos total prej jav ësh dhe çdo ditë që kalon, jo vetëm boshatis skuadrën kuqeblu, por nxjerr në pah edhe problematika të ndryshme. Së fundmi, largimi i tre prej lojtarëve të talentuar të akademisë, mesfushorit Uheid Hoxha dhe sulmuesve Eridon Qardaku e Akil Ndreca, ka krijuar një befasi të madhe.

Edhe akuzat e sulmuesit nigerian, Kolins Eziamaka, se ka tetë muaj që nuk paguhet, kanë tronditur opinionin në Shkodër. Mirëpo, në këtë kaos ajo që shqetëson më shumë është fakti se klubi nuk firmos dot as kontrata me lojtarët që sheh si përforcime të mundshme. Për këto çështje të nxehta të ditëve të fundit, në klubin shkodran dje foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” drejtori teknik turk, Engin Firat. Fillimisht, ai sqaroi largimet e lojtarëve që kanë spikatur tek akademia.

HISTORIA E TË RINJVE
“Të them të drejtën, nuk e kuptoj këtë debat. Për shembull, me Uheid Hoxhën kemi folur me babanë e tij, vetë lojtarin dhe menaxherin. Ua kam bërë të qartë se dëshiroja që Hoxha të qëndronte te Vllaznia. Kisha besim se ai mund të bënte shumë më mirë nëse do të qëndronte te Vllaznia.

Ai më tha se ka ofertë nga Partizani dhe nga skuadra të huaja, por në fund kam mbetur i surprizuar me nënshkrimin që bëri me një klub tjetër në Shqipëri. Të gjithë lojtarët e rinj që kemi pasur kanë firmosur një kontratë të njëjtë, madje edhe me ata që janë pjesë e kombëtareve si Shimaj, Repaj, Qarri etj..

Ata kanë firmosur dhe kurrë nuk folën rreth parave që do të merrnin. Gjithsesi, është e drejtë e tyre të zgjedhin se cila është më e mira, por në Shkodër nuk arrij të kuptoj diçka: ose janë profesionistë, ose e dashurojnë Vllazninë? Suad Lici u ka ofruar kontrata atyre, por ata kanë pranuar kontrata të tjera.

Kjo është një rrugë profesioniste dhe askush nuk mund të thotë diçka rreth tyre. Ata pretendojnë që të përfitojnë më shumë para, por më parë këta djem duhet të provojnë veten, ashtu siç bënë të rinjtë e tjerë, duke firmosur kontrata me të njëjtat kushte. Për të bërë edhe një herë të qartë situatën për Hoxhën dhe Qardakun, dua të theksoj se kontrata e tyre mbaroi në fund të sezonit dhe djemtë kanë pasur gjithë të drejtën për të zgjedhur se ku duan të luajnë në vazhdim.

Pra, gjithçka ka qenë e varur prej tyre nëse donin të luanin për Vllazninë apo klub tjetër. Nuk shikoj arsye për të debatuar rreth tyre”, është shprehur fillimisht drejtori turk i Vllaznisë.